Zjarrfikësit me fshesa në krah për shuarjen e zjarrit në Malin e Thatë, në rrezik banesat në Mançurisht
Dy vatra zjarri u përhapën mesditën e së martës në Pogradec dhe në Devoll.
Punonjësit e Zonave të mbrojtura me mjete rrethanore kanë nisur prej mëngjesit shuarjen e flakëve në Malin e Thatë.
Sipas të dhënave të siguruara, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të madhe që përdorej për kullota, në kufi me Parkun Kombëtar të Galiçicës.
Një tjetër vatër zjarri ka rënë në Mançurisht të Devollit, ngjitur me fshatin Gollobërdë. Banorët janë alarmuar për shkak të frikës se u rrezikohen shtëpitë.
Vatrat e reja u përhapën në kohën kur ndërhyrja nga ajri dhe toka gjatë së dielës shpëtuan parkun kombëtar të Prespës nga flakët.
Zjarri u izolua në orët e para të së martës, 31 gusht dhe në vijim u shua plotësisht.
Vatra ishte aktive për rreth tre ditë.
Rreth 100 forca zjarrfikëse nga bashkitë juglindore dhe punonjës të zonave të Mbrojtura u angazhuan për të vënë nën kontroll zjarrin që vijonte prej tre ditësh, raporton Ora News.
Rreziku që zjarri në zonën e mbrojtur të kalonte kufijtë, vuri në alarm edhe palën greke.
Ata angazhuan dy avionë të vegjël dhe një helikopter për shuar plotësisht flakët.
Paraprakisht përllogaritet zjarri ka përshkruar më tepër se 10 ha, ndërsa rreth 7 ha janë djegur plotësisht.
Dyshimet janë se zjarrvënia ishte e qëllimshme por policia deri tani nuk ka asnjë te ndaluar, raporton Ora News.
Ndërkohë për zjarret që dogjën mijëra hektarë pyje e toka në të katër anët e vendit këtë verë, 29 persona janë arrestuar, 38 po hetohen në gjendje të lirë dhe 7 të tjerë janë në kërkim./OraNews/

