Rreziku nga fiskalizimi, disa biznese nuk kanë mundësi fizike, të tjerë probleme financiare
Brenda vitit më shumë se 70 mijë biznese do të detyrohen të përfshihen në procesin e fiskalizimit. Për ekspertët ky proces është i domosdoshëm por mbart dhe risqe. Duke sugjeruar për një projekt pilot te subjektet e mëdha, Arbi Agalliu, shprehet se për subjektet e vogla mund të ketë dëmtim financiar dhe pamundësi teknike.
Në 1 shtator nis faza e fundit e procesit të fiskalizimit për bizneset në vend.
Janë rreth 100 mijë subjekte që do të duhet të plotësojnë detyrimet, për tu përfshirë në raportimin online të të gjitha shitjeve.
Por për ekspertët e ekonomisë ky është një proces shumë i rëndësishëm, por në Shqipëri është vështirë të implementohet.
Megjithatë në zona të thella dhe për biznese të vogla kjo mbetet një sfidë.
Eksperti, Arbi Agalliu, thotë se jo të gjithë kanë mundësi të përfshihen në këtë proces, disa për shkaqe ekonomike e të tjerë për vështirësi në përdorim.
Një tjetër problem janë dhe kostot.
"Po vjen dimri, orari po kufizohet kështu që bizneset do të kenë vështirësi mbijetese për nga pikëpamja e likuiditetit jo më tashmë të mendojnë edhe për një proces i cili mund të shtyhej në kohë," tha Agalliu.
Kjo situatë mund të shtojë edhe gjobat duke u kthyer në barrë, sidomos për subjektet me xhiro të vogël, pasi një gabim mund të konsiderohet si shmangie ndaj detyrimeve.
Ndaj ai sugjeron që të realizohet me një projekt pilot.
"Bëhet fjalë për një proces kaq delikat dhe mungesa e transparencës në këtë proces përkthehet me gjobë," tha ai.
Me këtë formë deklarimi do të duhet që bizneset të pajisen me internet dhe pajisje të tjera.
"Mungesa e teknologjisë, mungesa e njohurive të përdorimit të mjeteve teknologjike, mungesa e internetit e bën këtë proces të vështirë. Këtu futen edhe kostot e ndërrimit të kasave të vjetra me kasa të reja," tha Agalliu.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave deri në 17 gusht me certifikatën ekonomike janë pajisur 46 000 subjekte, nga 120.000 tatimpagues./OraNews/
