I riu nga Peqini mbushi "Range Rover" me emigrantë për 50 euro secili
Një 29-vjeçar nga Peqini është arrestuar pasi u kap duke transportuar me një mjet tip "Range Rover", 10 shtetas të huaj. Për secilin prej tyre ai kishte marrë 50 euro për person.
Policia thotë se ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.
Shpëtim Memolla, 29 vjeç, banues në Peqin, është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Elbasan-Tiranë.
Arrestimi i tij u krye në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte në drejtim të Tiranës, disa shtetas nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, kapën dhe arrestuan në flagrancë 29 vjeçarin.
