Nga manovrat e rrezikshme te përpjekja për të korruptuar policin, arrestohen 6 drejtues mjetesh, pezullohen 34 leje drejtimi

Policia e Shtetit vijon kontrollet intensive me radarë dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Policia informon se gjatë 24 orëve të fundit gjatë kontrolleve në çdo aks rrugor dhe qendra urbane janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë, me alkoolin apo me përdorimin e celularit në timon, me mospërdorimin e rripit të sigurimit dhe më keq akoma me drejtimin e automjetit, pa leje drejtimi.  

Si rezultat i kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 3 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, me masë alkooli deri në 0.56 mg/l.    

Janë pezulluar 34 leje drejtimi, nga të cilat 19 për shpejtësi mbi normat e lejuara, që varion nga 83 km/orë në qendrat e banuara deri në 172 km/orë në rrugën interurbane Tiranë-Durrës, 12 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 3 për qarkullim në sens të kundërt.

Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1554 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës. 

Nga Policia Rrugore e Elbasanit  është  arrestuar në flagrancë shtetasi E. V., 27 vjeç, banues në Cërrik, i cili pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke xhiruar gomat dhe duke bërë manovra të rrezikshme me mjetin, i ka ofruar një kartëmonedhë me prerje 5.000 lekë punonjësit të Policisë, për të shmangur masën administrative.  

Policia i bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të mos shpejtojnë, mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos përdorin celularin në timon, të mbajnë rripin e sigurimit duke mbrojtur jetën e vet dhe të të tjerëve./OraNews/