Nuk ndryshojnë masat anti-Covid, Rakacolli: Rritje të rasteve nga Delta, por situata në kontroll
Pavarësisht rritjes së infektimeve nga variant Delta, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mbajë të pandryshuara masat kufizuese.
Zëvëndëministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, theksoi se do të ketë shtrëngim për zbatimin e masave në fuqi dhe intensifikim të procesit të vaksinimit.
"Situata është më e kontrolluar dhe këtyre indikatorëve u përgjigjet mirë niveli i masave që kemi në fuqi. Problem mbetet zbatimi i tyre".
Ekspertët bëjnë thirrje për vaksinim por shprehen se në Shqipëri kjo gjë nuk do të jetë e detyruar. Megjithatë për disa grupe kërkohet që të vërtetojnë që nuk infektojnë të tjerët.
Komiteti deklaroi se krahasuar me një vit më parë situata është me qetë dhe se vendi jonë është tashmë i përgatitur në luftën kundër koronavirusit.
Masat në fuqi janë
-Detyrimi i maskës në të gjithë ambjentet e mbyllura dhe në ato ambjente ku nuk mund të sigurohet distancimi social si qendrat tregtare, supermarketet dhe aeroportet ku është vënë re që nuk ka përdorim të maskave
-Grumbullimet të lejueshme deri në 50 persona
-Ora policore nga 24:00-06:00
-Muzika e lejuar deri në 23:00
-Lejohen aktivitete sportive, teatrot, shfaqjet artistike, me kapacitete deri në 30%.
Teksa pasqyroi situatën, Rakacolli tha se ka një rritje të rasteve të reja ditore, reflektuar në shtimin e thirrjeve në Urgjencë dhe shtrimeve në spital.
Arsyeja kryesore sipas saj është prania e virusit Delta që ka një shkallë të lartë infektueshmërie. Por ajo shtoi se vaksinimi ka bërë që situata të jetë e kontrolluar.
Deri tani më të dyja dozat është vaksinuar 27 % e popullsisë ndërsa me një dozë është vaksinuar 37 % e popullsisë

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, deklaroi se mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste nga 291 krahasuar me një javë përpara.
Fico: Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 nga 291 krahasuar me një javë përpara. Numri total i rasteve aktive në vend është rritur. Incidenca dyjavore është rritur 5 herë. Raporti i infeksionit femra-meshkuj mbetet 52 me 48. Grupmoshat 35-64 vjeç kanë një rritje të konsiderueshme të rasteve të reja. Raporti Për bashkitë mesatarisht me 42 bashki. Në rast të një rasti pozitiv duhet të karantinohet. Ka vazhduar me intensitet vaksimi i popullatës, gushti ishte muaj i hapur, do vazhdojë dhe shtatori. Masat nuk kanë ndryshuar, duhet fuqizuar zbatimi i tyre. Përdorimi i maskës, distancimi, higjiena dhe grumbullimet mbeten në të njëjtin nivel. Ju lutem vaksinohuni.
Kraja: Kjo gjendje epidemiologjike reflektohet dhe në rastet që shtrohen në spital. Funksionin spitali Covid 1. Në korrik të këtij vitit kishim 1-2 raste në ditë ose javë. Patëm ditë dhe javë ku nuk kishim më jo vetëm vdekje por as shtrim të rasteve të reja. Në korrik të këtij viti pasi u evidentua prania e Deltës, nga 1 rast kaluam në gusht në 24 raste dhe sot që flasim në spital janë të shtruar 90 raste. 40% janë femra dhe 60% meshkuj. Grupmoshat janë të ndryshme, 15% janë mosha të reja. 40% e tyre kanë forma të mesme, serioze ose me ndonjë ndërlikim, 30% janë forma të rënda dhe pjesa tjetër forma kritike ose kërcënuese për jetën.
Bino: Në të gjitha vendet e Ballkanit vihet re një rritje e infeksioneve që lidhet edhe me sezonin veror dhe moszbatimin e masave. Do të ketë sërish vaksinim të hapur për të ulur numrin e infektimeve dhe mbrojtur jetën e njerëzve
Fico: Në Shqipëri vaksinimi nuk është i detyruar. Ka disa elementë siç janë grupet mjekë, arsimtarë që përpos detyrës qytetare për mbrojtjen e vetëvetes kanë detyrë të mbrojnë dhe komunitetet me të cilat punojnë.Nuk detyrojmë askënd por ka gjithmonë mënyra alternative që dikush të punojnë në një vend të caktuar, por drejtuesit dhe administratorët të jenë të qetë që ky është brenda parametrit të punës. Çfarë dua të them me këtë? Ti nuk detyron njeri të vaksinohet por ti mund të kërkosh që ai ose ajo të provojë statusin joinfektiv të vetin.
