Zbardhet vrasja në Babicë: Arrestohet në zonën e Bllokut vrasësi i dyshuar i Xhuljanos, armën e kishte groposur në shtëpinë e tij në Vlorë
Konfliktet për çështje droge dhe një borxh dyshohet se janë motivet pas ekzekutimit në Babicë të Vlorës së Xhuljano Bullarit.
25 vjeçari u gjet i vrarë me tre plumba brenda një makine mëngjesin e 21 gushtit 2021.
Viktima ishte i ulur në sediljen e shoferit në mjetin tip Fiat Punto me ngjyrë jeshile, me targa Tr 3784 R, e cila rezultonte se ishte në pronësi të një shtetaseje nga Tirana.
Katër ditë pas krimit policia thotë se ka arritur të zbardhë ngjarjen dhe ka vënë në pranga 39 vjeçarin Bledar Selmanaj si autor i dyshuar.
Sot (25 gusht 2021) policia e shtetit njoftoi se është arrestuar në Tiranë në zonën e Bllokut, "Bledar Selmanaj, 39 vjeç, banues në Vlorë, autori i vrasjes me armë zjarri të shtetasit Xh.B, 25 vjeç, banues në Tiranë, ngjarje e ndodhur në fshatin Babicë e Madhe, Vlorë"
"Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autori i dyshuar, shtetasi Bledar Selmanaj kishte njohje të mëparshme me viktimën, të cilin dyshohet se e ka vrarë për motive të dobëta, me armë zjarri, mbrëmjen e datës 20.08.2021" informon policia.
Armen e krimit e kishte groposur
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Bledar Selmanaj, në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, është gjetur e groposur në oborrin e banesës së tij, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se 39-vjeçari ka kryer vrasjen.
Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular.
Ne momentin e arrestimit
I riu u arrestua në zonën e Bllokut në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në momentin e arrestimit, 39 vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me 1 krehër me 10 fishekë, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Nga ana e Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna për dokumentimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Kamerat e sigurise
Policia arriti tek 39 vjeçari falë pamjeve të kamerave të sigurisë që faktuan se ata kishin udhëtuar udhëtuar bashkë nga Tirana deri në Vlorë.
Mbetet e paqartë, pse ata shkuan deri në fshatin Babicë, por aty dyshohet se Bledar Selmanaj e ekzekutoi brenda kësaj makine 25 vjeçarin me të paktën tre plumba.
Bledar Selmanaj, rezulton person me precedentë penalë i dënuar për cështe të lidhura me drogën dhe grabitje në banesa.
Por dyshimet e policisë janë se ai , mund të jetë ndihmuar edhe nga persona të tjerë, për të cilët po punohet për ti identifikuar dhe vënë para përgjegjesisë ligjore.
Edhe 25 vjeçar Xhuljano Bullari, me origjinë nga Cërriku por banues në Tiranë, rezulton person me precedentë penalë.
Operacioni
Operacioni policor u kodua "Babica". Arrestimi u krye në bazë të provave të grumbulluara nga hetimi i bërë nga grupi i posaçëm hetimor dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës, Forcën e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
