Turizmi në Shqipëri/ Hoxha: Cilësia e shërbimit duke u rritur, ende nuk është në nivelin e duhur
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, eksperti i turizmit, Ismail Hoxha, ka folur për industrinë e turizimit gjatë këtij viti në vendin tonë.
Ai ka treguar disa nga problemet që sollën vonesën e fillimit të sezonit turistik, ku një prej tyre ishte dhe trafiku i rënduar.
"Isamil Hoxha, ekspert turizmi: Jemi në një pikë shumë të mirë. Askush nga ne nuk kishte pritshmëritë që ky vit me gjithë pandeminë që ishte, të kalonte gati në shifra të barabarta me vitin para pandemisë. Kështu që në këtë rezultat megjithëse numrat nuk janë të kënaqshme se si duhet të jetë dhe si duhet të funksionojë turizmi në një vit normal, mendoj se jemi shumë ok dhe gjithë pjesa e periudhës së Verës, Korrikut dhe Gushtit, padyshim që ishte e vështirë për të gjetur vend për të fjetur, dhe në restorante ishte plot. Patëm mundësi që të gjithë problemet që ishin në fillim, problemet me ndarjen e hapësirave , të plazhit, në një mënyrë ose në një tjetër, i mbyllëm në ditët e para të korrikut, dhe ajo ishte një nga problemet kryesore që ndikoi edhe në një formë imazhi të turizmit, por që edhe njerëzit të punonin. Infrastruktura është gjithmonë problematike, dhe kur themi infrastruktura nuk e kam fjalën për operatorët turistikë, ose për njësitë e biznesit, sesa e kam fjalët për mekanizmit që solli trafiku i rënduar , që ishte një problem shumë i madh.
Ngadalësoi të gjithë mekanizmin. Problem tjetër ishte dhe prishja e objekteve në fillim të sezonit, që dhanë një impakt negativ. Vonoi industrinë e turizmit që të fillonte dhe ndër të tjera krijoi dhe probleme që mbetën aty dhe nuk u pastruan ndonjëherë. Trafiku është një vështirësi për të gjithë turistët qoftë të huaj, por edhe vendas."
Më tej shton se këtë vit ka pasur një rritje të dukshme të çmimeve ndërsa thekson se rritja e çmimeve, nuk ka ardhur thjesht si efekt i kalimit të kohës, por si një investim në industrinë e turizmit.
Përsa i përket shërbimeve ai thotë se cilësia e shërbimit është rritur por ende nuk është në nivelin e duhur
"Shërbimi në vendin tonë vjen gjithmonë e në rritje, megjithëse nuk ka arritur në nivelin e duhur ku duhet të jetë. Shërbimi është një ndër pikat që qoftë, turistët vendas dhe të huaj, qoftë raporti çmim, cilësi shërbim, propagandohet kaq shumë në media, realisht ka pasur përmirësime nëse e krahasojmë me vite më përpara. Ka pasur një rritje çmimesh, kjo është e sigurt.
Ajo që ndryshon nuk ka ardhur thjesht si efekt i kalimit të kohës, por si një investim në industrinë e turizmit."
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Anila Kolgjini.
