Tiranë: Në rrugën “Gjergj Arianiti”, kantieri “sposton” pallatin
Mosrespektimi i distancave urbane nga kantieret e reja të ndërtimit në kryeqytet kanë sjellë spostimin me disa centimetër nga bazamenti të një pallati në rrugën "Gjergj Arianiti" në kryeqytet. Ky pallat në të cilin jetojnë 3 familje ka pësuar dëmtime të dukshme por IKMT apo dhe bashkia Tiranë nuk kanë marrë asnjë masë. Banorët kërkojnë krijimin e një grupi për verifikimin e dëmeve pasi ndihen të pasigurtë në qëndrimin aty.
Punimet e nisura në qershor të vitit 2020 në rrugën "Gjergj Arianiti" në kryeqytet kanë vënë në rrezik këtë pallat në të cilin jetojnë 3 familje.
Objekti ka lëvizur disa centimetra nga bazamenti, muret janë plasaritur dhe dëmet janë të dukshme edhe vizualisht.
Ismail Qoshja, banor i objektit, thotë se kollonat mbajtëse janë çarë.
"Fillimisht është dëmtuar bazamenti në mënyrë gjatësore me një çarje. Në anën perëndimore ku janë dhe plintat. Më vonë kemi vënë re çarje te shkallët e hyrjes. Një kolonë mbajtëse është dëmtuar nga ana e pasme."
Qëndrimi aty është i pasigurt.
"Kemi filluar të ndjejmë rrezikun."
Duke ndjerë rrezikun, ai thotë se i është drejtuar disa herë IKMT dhe bashkisë Tiranë për verifikimin e dëmeve.
"Kanë ardhur njëherë dhe e kanë parë çështjen specialistët e bashkisë dhe nuk kanë mbajtur asnjë procesverbal. Nuk na kanë thënë as është mirë, as është keq, as është e banueshme dhe as është e pabanueshme."
Qytetarët kërkojnë krijimin e një grupi për verifikimin e dëmeve me qëllim zgjidhjen e situatës.
"Të ndjehem i parrezikuar për jetën, të fle rehat dhe jo me stres në shtëpinë time. Të bëhet vlerësimi i godinës nëse është e banueshme apo jo."
Kantieret e ndërtimeve në kryeqytet gjithnjë e më shumë po shkelin distancat urbane, duke zënë hapësirat publike por duke cënuar edhe sigurinë e ndërtesave ekzistuese.

