Dy muaj pa ujë në çezma, banorët e Ormanit në Maliq në protestë: Premtime për fushatë

Banorët e fshatit Orman në Maliq thonë se e prej dy muajsh po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm që më herët e kanë pasur me orare të kufizuara. Ndaj këtë të martë dolën në protestë, duke i konsideruar mashtrime elektorale premtimet se çështja e ujit do të zgjidhet.

Çezmat në Orman të Maliqit as nuk pikojnë këto ditë gushti.

Problemet me ujin atje janë të vjetra, por prej dy muajsh situata është bërë kritike sipas banorëve.

"Kemi 2-3 muaj pa ujë fare. Edhe kur kemi pasur, një orë në ditë dhe një ditë po, një ditë jo."

Alternativë e vetme u ka mbetur mbushja e ujit në burimet e fshatrave të tjera me kova e bidonë.

"Marrim karrocat dhe shkojmë e zihemi me njerëzit ku mund të marrim dy kova ujë."

"Po bëhem 39 vjeç dhe nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ujë të pijshëm në fshatin tonë, gjithmonë ka qenë problematik."

Ndaj këtë të martë, banorët dolën në protestë duke e konsideruar mashtrim elektoral zgjidhjen e premtuar për çështjen e ujit.

"Erdhi Ilir Pendavinji këtu dhe tha do të keni ujë para zgjedhjeve. Zgjedhjet ikën që në 25 prill dhe ne jemi pa një pikë ujë."

Kryetari i bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, i kontaktuar përmes telefonit pranon problematikën me furnizimin me ujë, por thotë se zgjidhja do të jetë e shpejtë.

Brenda dy muajsh, kryebashkiaku i Maliqit thotë se do të përfundojë një ndërhyrje në rrjetin e Ujësjellësit për fshatrat Orman, Kreshpanj, Rembec dhe Pendavi.