Jetesa mes një "landfilli", rruga e Prushit vendgrumbullim mbetjesh, banorët: Po sëmuremi nga pisllëku

Rruga e Prushit në njësinë administrative Vaqarr është shndërruar në një vendgrumbullim mbetjesh e inertesh. Banorët e zonës shprehen se kjo masakër mjedisore është kërcënim për shëndetin e tyre dhe se pavarësisht apeleve e kërkesave të vazhdueshme asgjë nuk ka ndryshuar për mosdepozitimin e këtyre mbetjeve në këtë zonë të banuar.

I ngjan një landfilli, por nuk është i tillë. Masakër mjedisore, kështu e kanë cilësuar gjendjen e gjithë depozitimit të mbetjeve në rrugën e Prushit në njësinë administrative Vaqarr.

Inerte, xhama të thyer, shishe plastike, divane e kolltuqe, gjithçka gjen të hedhur në zonë.

"Nuk merret vesh nga i hedhin, e kanë gjet si pikë grumbullimi. Këtu hidhen inerte, goma makinash, skelete frigoriferësh, lavatriçesh."

Edhe pse është një zonë e banuar dhe jo një vendgrumbullim mbetjesh, problematika vijon të jetë e njëjtë.

Era e keqe që kundërmon në zonë, thonë banorët, përbën një epidemi më vete.

"Nuk dalim dot jashtë."

"Të bëhet kanali si duhet, të hiqen mbeturinat. Si mos të vijë era."

Janë akuar disa herë pranë njësisë administrative por problemi nuk ka marrë zgjidhje.

"I kemi çuar një letër dhe nuk e mori parasysh fare. Vijnë makinat dhe i zbrazin këtu."

Situata më shqetësuese paraqitet në stinën e vjeshtës, ku shirat e stinës e shndërrojnë zonën në kënetë.

"Kur bie shi, uji vjen lart te shtëpitë, mbushet me ujë kati i parë."

"Këtu kthehet në kënetë."

Prej rreth 3 vitesh mbeturinat dhe mbetjet e tjera të hedhura rrezikojnë shëndetin e banorëve.

Këta të fundit apelojnë për marrjen e masave, pasi e ndjejnë rrezikun shumë pranë vetes.