Harrohen masat anti-Covid, qytetarët: Në urbanë e në banka nuk mbahen më maska
Në bazë të masave të lëna në fuqi nga komiteti teknik i ekspertëve mbajtja e maskave në ambient publik është zgjedhje preferenciale, por mbajtja e saj në ambiente të mbyllura apo dhe aty ku ka grumbullime masive është e detyrueshme. Por sa respektohen vërtet këto masa?
Infektimet me Covid kanë pësuar rritje disa shifrore brenda muajit, në ambiente të mbyllura, në institucione publike apo private si dhe në mjetet e transportit publik njerëzit nuk përdorin maska.
Në kushtet kur masat ndaj përhapjes së infeksionit janë shthurur duket se institucionet që duhet të kontrollojnë situatën janë inekzistente.
Maska mbrojtëse nuk po përdoret jo vetëm nga qytetarët, por as banka punonjësit e institucioneve bankare që veprojnë në ambiente të mbyllura.
"Jo nuk kam maskë. Pse duhet të mbajmë ne maskë dhe ata brenda mos të mbajnë?"
Në autobus njerëzit me maska janë të rrallë, edhe pse një mjedis i tillë është vatër e infeksioni.
"Unë s'kam parë maska. Shumë rrallë kam parë. Unë për vete nuk mbaj maskë."
"Në autobus mund të mbajnë 3 deri në 5 veta maska. Të tjerët janë të gjithë a maska."
Në kushtet kur zbatimi i masave anti-Covid ka mbetur në ndërgjegjen e gjithë secilit, ka dhe nga ata qytetarë që preferojnë mbajtjen e maskave edhe në ambient të hapur.
Ministria e Shëndetësisë një ditë më parë raportoi se nga 4262 testime ditore, 534 qytetarë kanë rezultuar të infektuar në të gjithë vendin. Numrin më të madh të infektimeve e ka Tirana me 117 raste ditore, ndërkohë që në kryeqytet prej javësh masat anti-Covid po shpërfillen masivisht.

