Zbardhet sherri pranë qendrës tregtare. Ja pse u arrestua polici, në kërkim i vëllai

Ora News zbardh sherrin e ndodhur pranë një qendre tregtare ku u përfshi dhe një efektiv policie.

Ngjarja ka ndodhur më 21 gusht në një prej qendrave tregtare në autostradën Tiranë-Durrës. Mësohet se efektivi i policisë Drilon Toska qëlloi me armë për shkak të një konflikti banal për parkimin e një makine.

Burime nga policia bëjnë me dije se konflikti fillimisht ka nisur nga vëllai i efektivit Drilon Toska, Arbër Toska, për shkak të një vendi parkimi.

Pas konfliktit, Arbri ka kërkuar ndihmën e të vëllait, i cili ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Mes dy vëllezërve dhe rojeve të sigurisë private të qendrës tregtare ka pasur sherr, sharje dhe fyerje dhe më pas efektivi Drilon Toska ka nxjerr armën dhe ka qëlluar një herë.

Gjatë konfliktit Toska nuk ishte në shërbim dhe ishte pa uniformë. Hetimet, përveç policisë po i kryen edhe Shërbimi për Çështjen e Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme.

Aktualisht efektivi është arrestuar ndërsa është shpallur në kërkim i vëllai.