Sot dita për të kujtuar e reflektuar: Tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë

Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha përkujtuan sot ditën Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit.

“Tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë” shkruan Meta në mesazhin dedikuar kësaj dite duke shtuar se nderimi i kujtimit të viktimave duhet të ushqejë angazhimin tonë të përbashkët dhe të pandalshëm për të zhvilluar, mbrojtur dhe respektuar demokracinë, të drejtat dhe liritë e njeriut, për të mos e ndalur luftën ndaj shfaqjeve të sotme të autoritarizmit, intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.


Edhe Basha bën thirrje për të reflektuar për të mos lejuar që asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, Perëndimi dhe liria.

"Ne shqiptarët kemi më shumë viktima se shumë kombe në botën demokratike për të përkujtuar. Ndaj ju ftoj të kujtojmë, të nderojmë dhe të përkulemi përpara sakrificës viktimave që na shkaktoi diktatura komuniste e Enver Hoxhës dhe të reflektojmë.

Të reflektojmë dhe të nxjerrim mësime e forcë për të mos lejuar asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, nga 
Perëndimi dhe nga liria. Qoftë i paharruar kujtimi i shqiptarëve që e paguan me jetën e tyre instalimin dhe pushtetin absolut të rregjimit komunist"