Mbushi kamionin plot me emigrantë, 200 euro/personi. Arrestohet në Pogradec 49 vjeçari nga Kamza
Plot 56 klandestinë ishin futur brenda një kamioni nga juglindja drejt Tiranës.
Një shofer 49 vjeçar nga Kamza kishte marrë përsipër që me 200 euro për person ti ndihmonte të kalonin ilegalisht përmes Shqipërisë në rrugën drejt BE.
Mjeti u ndalua në Pogradec dhe shoferi Sokol Qerkezi përfundoi në pranga.
"Shërbimet e policisë kanë kapur në lagjen nr. 3, Pogradec, shtetasin e mësipërm duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin kamion të markës "Benz", 56 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 200 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së" informoi policia.
Nga verifikimet rezultoi se 49 vjeçari ka qenë i dënuar edhe më herët për dhënien e ndihmës së paligjshme për kalimin e kufijve.
Rruga
Nga 1 qershori, 35 persona janë arrestuar ose shpallur në kërkim në qarkun e Korçës pasi kanë marrë përsipër transportin e emigrantëve të paligjshëm.
Pagesat që ata marrin janë të ndryshme, por variojnë nga 200 deri në 1200 euro për klandestinë.
Të dhënat nuk janë zyrtare, por sipas raportoteve të policisë së Korçës për operacionin Perimetri, në vetëm 2 muaj e gjysmë gjatë verës janë kapur 302 klandestinë të paligjshëm.
Që prej vitit 2016, kur Shqipëria u përfshi në rrugën e klandestinëve drejt vendeve të BE, fluksi i emigrantëve mbetet i lartë,
Ata hyjnë nga kufiri i gjelbër me Greqinë dhe nëse i shpëtojnë rrjetës së parë të FRONTEX vazhdojnë rrugën në dy drejtime kryesore.
E para, përfshin fshatrat Vërnik-Tren-Mançurisht-Zvezdë.
Rruga tjetër nis në Trestenik që cilësohet portë hyresë e vijon në Miras-Arrzë e Dardhë.