"Krushqit me kallash" Në hetim dhëndri, në kërkim dasmori që qëlloi nga makina në autostradën e Laçit

Videoja e shpërndarë gjërësisht në rrjetet sociale, ku një person qëllon në ajër nga një makinë luksoze si pjesë e një karvani dasmorësh rikthen edhe një herë debatin për armëmbajtjen pa leje dhe sfidën që i bëhet hapur ligjit.

Personi në video zbraz breshëri kallashnikovi në mes të rrugës drejt zonave të banuara, duke vënë në rrezik jetën e banorëve.

Video ka vënë në lëvizje edhe policinë e Kurbinit e cila thotë se ngjarja është shënuar më 15 gusht, dhe personi që qëllon është Klajdi Tafaj, 21 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin.

Por blutë nuk kanë arritur ta vënë në pranga dhe e kanë shpallur në kërkim.

Ne hetim dhendri

Për këtë skenë që rrezikoi jetë njerëzish në mes të një prej rrugëve me të frekuentuara të veriut, policia ka vënë nën hetim 30 vjeçarin që u martua atë ditë.

Ai akuzohet për moskallëzim krimi.

Mësohet se policia ka sekuestruar  armën e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.

"Krushqit me kallash" Në hetim dhëndri, në kërkim

Veç krushqve me Kallashnikov, të dielën, 22 gusht, në rrjetet sociale u përhap gjërësisht edhe një video ku një grup dasmorësh bllokuan qarkullimin dhe ja morën valles në mes të autostradës së Laçit.

Një tjetër veprim ekstrem që rrezikoi jetë, por për këtë policia ende nuk ka reaguar zyrtarisht.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak", "Prishja e rendit dhe qetësisë publike" dhe "Moskallëzimi i krimit".