Raporti i SHISH: Korrupsion në drejtësi dhe administratë shtetërore edhe gjatë pandemisë

Në raportin e tij vjetor për sigurinë e vendit në 2020-ën, Shërbimi Informativ Shtetëror thekson se edhe përgjatë pandemisë korrupsioni në sistemin e drejtësisë ishte në norma shqetësuese. SHISH deklaron se korrupsioni ka vijuar jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët.

Edhe gjatë periudhës së pandemisë, korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë.

Është ky konstatimi që vjen nga Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili në raportin e tij për 2020-ën thekson se korrupsioni ka vijuar edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët.

"Në sistemin e drejtësisë, punonjës të veçantë (prokurori/gjykata), janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqur në forma si: ushtrim i ndikimit të paligjshëm dhe ndërveprimit korruptiv, me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurit, nëpërmjet ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie ose duke aplikuar dhënien e dënimit alternativ" thuhet në raport.

Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të Vettingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi.

Pastrimi i produktit të veprës penale, kontrabanda e mallrave të akcizës, evazioni fiskal dhe cenimi i sigurisë ushqimore, evidentohen si format më të përhapura të krimeve në ekonomi.

Raporti i SHISH: Korrupsion në drejtësi dhe administratë