Vrasja e Xhuljanos në Vlorë, makina çoi në zbulimin e identitetit të 25-vjecarit

Xhuljano Bullari 25 vjeç u gjet i vdekur në makinë mëngjesin e sotëm, 21 gusht në fshatin Babicë, Vlorë.

I riu është qëlluar me tre plumba, por plumbi fatal për jetën ka qenë ai që u qëllua në kokë.

Viktima ishte i ulur në sediljen e shoferit në mjetin tip Fiat Punto me ngjyrë jeshile, me targa Tr 3784 R, e cila rezulton se është në pronësi të një shtetaseje nga Tirana.

Gazetari i Ora News, Elton Qyno u shpreh se ka qenë pikërisht makina që ka çuar në identifikimin e viktimës. Viktima nuk kishte asnjë lidhje me pronaren e makinës, por ishte djali i gruas i cili i kishte dhënë makinën Xhuljanos dhe ka qenë dëshmia e tij që ndihmoi në identifikimin e 25-vjeçarit nga Elbasani.

Qyno: "Nga mënyra se si është kryer krimi dhe duke parë origjinën e personit të përfshirë në krim, pra viktimën nga Tirana që ka udhëtuar në drejtim të Vlorës dhe ende nuk dihen shkaqet pse ka shkuar dyshimi të çon se ai kishte shkuar të takonte persona me kontigjent kriminal në këtë zonë.

Ka qenë makina e tij tip "Fiat Punto" e cila shërbeu për të identifikuar viktimën. Makina i përkiste një gruaje Tiranë dhe policia në kuadër të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes dhe identitetin e viktimës është gjetur gruaja dhe është marrë në pyetje. Dëshmia e gruas ka shërbyer vetëm për pjesën se kujt ja kishte dhënë makinën.

Viktima nuk kishte asnjë lidhje me zonjën, por kishte viktima me djalin e zonjës në dijeninë time. Djali i gruas ja kishte dhënë makinën viktimës. Ishte djali i pronares së makinës që ka treguar se makinën ja kishte dhënë një personi tjetër i identifikuar si Xhuljano Bullari. "

Qyno u shpreh se krime të tilla hasen shpesh në qytetin e Vlorës, pavarësisht nëse viktimat janë ose jo rezidentë në këtë qytet. Shkak bëhen lidhjet mes shitjen dhe blerjen e lëndëve narkotike.

Qyno: "Është një ngjarje që e kemi hasur shpesh në qytetin e Vlorës, që persona të cilët nuk janë rezidentë në këtë qytet shkojnë dhe bien viktima pikërisht në Vlorë. Shkak bëhen lidhjet me shit-blerjen e lëndëve narkotike dhe që padyshim këto kontrata ose do të shkojnë mirë dhe do të sjellin para, ose edhe nëse shkojnë mirë dhe sjellin para fillon konflikti i ndarjes së parave. Nga mënyra se si është kryer krimi unë kam përshtypjen se dikush tjetër, shoku i vet e ka thirrur pikërisht në zonën e Babicës, e ka tërhequr në një zonë krejt të papopulluar dhe në këtë mënyrë është vrarë në mënyrë të pabesë. Viktima ka qenë duke drejtuar automjetin dhe kam përshtypjen se vetë shoku i vet e ka qëlluar për vdekje. Është provuar që viktima është qëlluar nga brenda makinës pasi gëzhojat janë gjendur brenda makinës."

Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku