Kaosi në aeroportin e Kabulit, turmat shtypin njëri-tjetrin në përpjekje për të shpëtuar, 7 të vdekur
Shtatë civilë afganë kanë vdekur në turmat jashtë aeroportit të Kabulit, ndërsa njerëzit dëshpërimisht përpiqen të ikin nga marrja nën kontroll e Afganistanit nga talibanët, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
"Kushtet në terren mbeten jashtëzakonisht sfiduese, por ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të menaxhuar situatën në mënyrë sa më të sigurt", tha një zëdhënës në një deklaratë.
Skenat kaotike jashtë aeroportit të Kabulit janë parë prej disa ditësh, pasi përveç njerëzve që kanë tentuar të ikin, edhe qeveritë kanë nisur procedurat e evakuimit të qytetarëve të tyre dhe kolegëve afganë.
Rreth 4,500 trupa amerikane janë duke kontrolluar përkohësisht Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul.
Edhe 900 ushtarë britanikë janë poashtu duke patrulluar në aeroport, për të siguruar fluturimet e evakuimit.
Militantët talibanë është raportuar se kanë krijuar pika kontrolli në perimetrin afër aeroportit dhe janë duke bllokuar afganët pa dokumente udhëtimi që të hyjnë në atë zonë.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar qytetarët e vet që të shmangin Aeroportin e Kabulit, pas shqetësimeve për sulme potenciale nga dega e grupit militant, Shteti Islamik (IS) në Afganistan.
Alarmi për sigurinë, që është lëshuar të shtunën, u kërkon shtetasve amerikanë që të qëndrojnë larg këtij ambienti “për shkak të kërcënimeve për sigurinë jashtë portave”.
Vetëm individëve që iu kërkohet ta bëjnë këtë rrugëtim nga ndonjë përfaqësues i Qeverisë amerikane, mund të veprojnë ashtu, është thënë në njoftim.
Zyrtarë amerikanë për mbrojtje kanë thënë se janë duke monitoruar zhvillimet dhe janë duke shikuar për rrugë alternative.

