"U rritën borxhet, u ul arkëtimi" KLSh zbulon shkeljet dhe abuzimet në Bashkinë e Këlcyrës
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur shkelje dhe abuzime në 6 nga 8 procedurat e zhvilluara nga Bashkia e Këlcyrës e drejtuar nga Klement Ndoni, nga janari i vitit 2019 e deri në qershor të vitit 2020.
Sipas auditimit ky institucion ka përdorur pa efektivitet 23.9 milionë lekë nga fondet publike dhe ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 353 mijë e 600 lekë.
KLSH konstaton se këto efekte negative janë shkaktuar si pasojë e shpalljes së fituesit në kundërshtim me rregullat e Prokurimit Publik, madje thekson se në vlerësimin e ofertave është vepruar me dy standarte.
“Nga auditimi u evidentuan 5 raste, ku nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për të njëjtin kriter të përmbushur apo jo, janë mbajtur qëndrime të ndryshme, për Operatore Ekonomikë të ndryshëm, pjesëmarrës në garë” thuhet në raport.
Përveç tenderave, kjo bashki paraqitet problematike edhe në zbatimin e buxhetit.
“Nga auditimi është evidentuar realizim i ulët i të ardhurave dhe shpenzimeve nga ana e Bashkisë Këlcyrë, gjë e cila flet për punën e pamjaftueshme të kësaj administrate në planifikimin e të ardhurave dhe më kryesorja në arkëtimin e tyre.”
Si pasojë, KLSH evidenton se një pjesë e investimeve të parashikuara kanë mbetur pa burim financimi si dhe kanë shkaktuar një rritje të faturave të pa likuiduara dhe borxhit.
Nga auditimi i dosjeve të punonjësve në Bashkinë e Këlcyrës është konstatuar edhe fakti se nuk ka pasur nënshkrim të kontratës sipas Kodit të Punës.
Madje rekrutimi i një numri të konsiderueshëm të punonjësve është bërë në kundërshtim me ligjin.