Hije dyshimi në tenderin e pistoletave 2.3 milionë euro, prokurimi i policisë ankimohet ende pa nisur
Pak kohë pas operacionit të SPAK që vuri në pranga disa zyrtarë për tenderin e uniformave, Ministria e Brendshme hap një tjetër procedurë që kap vlerën e 2.3 miliardë lekëve për të blerë pistoleta për punonjësit.
Por edhe kjo procedurë ka ngritur hije dyshimi. Këtë herë zhvilluesi i tenderit rezulton Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe jo Agjencia e Blerjeve të Përqendruara.
Sipas të dhënave zyrtare institucioni nën drejtimin e Ardi Veliut ka rënë dakort për t’i marrë armët për trupën e policisë brenda 48 muajve.
Për procedurën në fjalë nuk rezulton asnjë dokument që jep detaje në lidhje me sasinë që do blihet për çmimin e ofruar si dhe nuk ka të përcaktuar shtetin se nga do vijnë.
Kjo është justifikuar me faktin se ky është një prokurim në fushën e mbrojtjës dhe sigurisë dhe procedurat e tenderit janë shumë të kufizuara.
Vetëm 1 operator
Policia e Shtetit do të lidhë marrëveshjen me vetëm 1 operator ekonomik pasi në të kundërt i shkakton vështirësi autoritetit kontraktor.
Tenderi do të zhvillohet në dy faza ku e para lidhet me parakualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve, dhe do të përqendrohet në vlerësimin e përvojës dhe aftësinë e kandidatëve për të zbatuar kontratën në fjalë.
Faza e dytë është ftesa për ofertë dhe vleresimi, pra më pas do të jetë institucioni i drejtuar nga Veliu që do të përzgjedhë se kujt do t’i dërgojë ftesë për ofertë.
Por procedura që në nisje duket se ka ndeshur në pakënaqësi dhe probleme nga ana e subjekteve që kanë shfaqur interes.
Tenderi ka përfunduar në dyert e Komisionit të Prokurimit Publik.
Edhe pse çështja rezulton e publikuar në regjistrin e ankesave, aty nuk gjendet asnjë dokument ku jepen detaje në lidhje me tenderin duke ngritur edhe më shumë dyshime.