Strehimi i afganëve në Shqipëri, Marjakaj: Vendi nuk është i rrezikuar për aq kohë sa ka përkrahje ndaj tyre

Majori në rezervë, njëkohësisht pjesë e Forcave të Armatosura në Afganistan Ernest Marjakaj në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora ka diskutuar lidhur me situatën në të cilën ndodhet shteti i Afganistanit.

Ai u shpreh se fuqia e menjëhershme e talibanëve erdhi për shkak se kanë mbështetje nga  Pakistani.

Gjithashtu një tjetër arsye që ka ndikuar në rritjen e fuqisë së tyre është edhe fakti që qevria nuk e ka luftuar si duhet korrupsionin dhe pjesëtarët e qeverisë kanë qenë të përfshirë në korrupsion të madh.

Marjakaj: "Talibanët kanë pasur dhe kanë mbështetje të vazhdueshme nga Pakistani. Në vazhdimësi organizimi i tyre është bërë edhe nga territori i Pakistanit dhe kanë lëvizur drejt Afganistanit, duke kaluar kufirin. Mbështetja që i ka dhënë Pakistani ka ndikuar në forcimin e tyre, por gjithashtu mendoj se ka ndikuar edhe fakti që qeveria nuk ka luftuar si duhet korrupsionin dhe pjesëtarët e qeverisë kanë qenë të përfshirë në korrupsion të madh dhe nuk kanë ndikuar në rritjen e sigurisë në vend."

Përsa i përket strehimit të afganëve në Shqipëri, zoti Marjakaj tha se nuk priten vetëm ekspertë dhe njerëz të elitës. Personat që do të arrijnë në vendin tonë do të kenë nevojë për ndihmë dhe integrim pasi vijnë nga një periudhë 20-vjeçare lufte.

Marjakaj: "Mendoj se është pozitiv fakti që Shqipëria ndikon dhe strehon një pjesë të tyre. Nuk është thjesht se Shqipëria do marrë vetëm ekspertë apo vetëm njerëz elitë. Kam përshtypjen se është e nevojshme krijimi i grupeve të punës në Shqipëri me punëtore socialë, sociologë dhe të tjerë të cilët duhet në ndikojnë drejtpërdrejt në rehabilitimin e tyre. Janë një brez që janë rritur në luftë për 20 vite. Popullsia është e traumatizuar dhe kanë nevojë për mbështetje dhe integrim. "

Nëse afganët do të ndikojnë apo jo në sigurinë kombëtare të Shqipërisë, zoti Marjakaj tha se kjo ndodh vetëm në momentin që refugjatët nuk kanë përkrahje. Në rastin e afganëve, siguria kombëtare e Shqipërisë nuk do të preket sipas tij.

Marjakaj: "Nuk mendoj se Shqipëria është e rrezikuar nga afganët për aq kohë sa ka përkrahje ndaj tyre. Rreziku nga emigrantët po personat që vijnë Shqipëri mund të fillojë në momentin që ndërpritet përkrahja ndaj tyre dhe ata ngelen pa përkrahje. Kjo mendoj se ka ndodhur me një pjesë të konsiderueshme të emigrantëve që kanë ardhur, të cilët janë në rrugët e Tiranës dhe Durrësit dhe shpesh herë përfshihen në ngjarje. "

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku