Tender 2.3 milionë euro për pistoleta, Çoçoli: Prej vitesh po abuzohet me termin "Tendera sekret"

Pak kohë pas operacionit të SPAK që vuri në pranga disa zyrtarë për tenderin e uniformave, Ministria e Brendshme hap një tjetër procedurë që kap vlerën e 2.3 miliardë lekëve për të blerë pistoleta për punonjësit.

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora u shpreh se duhet të ketë më shumë transparencë në lidhje me këto tendera sepse janë para të dala nga taksat e qytetarëve. Ai gjithashtu tha se po abuzohet me termin tendera të klasifikuar apo tendera sekrete.

Çoçoli:" Duhej të kishte transparencë sepse është buxheti i të gjithëve ne, para që dalin nga taksat e qytetarëve, kështu që është mëse e drejtë që të ngrihet pyetja a duhet më shumë transparencë. Prej disa vitesh po abuzohet shumë përtej cilësimit të tendera të klasifikuar, tendera sekret. Në këtë mënyrë bëhet përpjekja për të evituar konkurrencën në kuptimin që nuk dihen emrat e konkurrentëve që marrin pjesë dhe ndonjëherë nuk dihet as shuma dhe procedurat e realizimit të tenderit. Nga një përllogaritje e afërt janë ndoshta mbi 20-30 milionë euro në vit që zhvillohen nga buxheti i shtetit në formën e tenderave të klasifikuar."

Çoçoli u shpreh se ministria eRendit duhet t'u kthejë përgjigje pikëpyetjeve që ngrihen në lidhje me këtë tender në mënyrë që të jetë korrekte me qytetarët.

Transparenca për këto tipa tenderash është gati në nivelet zero, shtoi eksperti.

Çoçoli:" Shifra është e domosdoshme të dihet nga qytetarët, po ashtu edhe numri i pistoletave që do të merren nga policia e shtetit, nga ministria e Rendit. Dhe arsyeja pse është një shifër aq e madhe sepse flitet për 8600 pistoleta sepse ne e dimë sa i kufizuar është numri i forcave tona të rendit. Këto janë disa pikëpyetje që ministria e Rendit për të qenë korrekte me qytetarët duhet t'i japë përgjigje. Duke qenë tender i klasifikuar ne si qytetarë nuk e dimë se si do të zhvillohet. Transparenca për këto tipa tenderash është gati në nivelet zero. "

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku