Bregoviç “dajre” gjenocidi, pankarta e Vetëvendosjes në Korçë
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri organizoi sot një aksion simbolik ndërgjegjësues në qendër të qytetit të Korçës, duke vendosur një banderolë të gjatë me fjalët “Bregoviç dajre gjenocidi”, në Bulevardin “Republika”.
Aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë, të cilat kanë kërkuar nga Bashkia e Korçës anulimin e ftesës në “Festën e Birrës” të muzikantit të shumëkontestuar, Goran Bregoviç.
Aksioni u zhvillua githashtu në mbështetje të bojkotit që shumë artistë shqiptarë nga të gjitha trevat i kanë bërë kësaj feste, pasi Bashkia e Korçës ka refuzuar të anulojë ftesën për Bregoviçin.
"Bregoviçi, përmes muzikës dhe qëndrimeve të tij, ka shërbyer e shërben si lëkuara e deles me të cilën mbulohet nacionalizmi shoven serb. Serbia nuk është penduar për krimet e saj, drejtohet nga kriminelë lufte dhe vazhdon të ketë për qëllim ekspansionin e mëtejshëm në rajon me projekte si “Ballkani i Hapur”. Për më keq, Serbia kryen sot e kësaj dite spastrim etnik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës" thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.
Si komb, do të ishte hipokrite nëse ndajmë vetëm gëzimet, medalje dhe mirënjohje ndërkombëtare, pa u solidarizuar duke ndarë edhe vuajtjet. Bashkë i ndamë vuajtjet dhe iu gjendëm njëri-tjetrit gjatë luftës në Kosovë, por edhe më vonë pas tërmetit në Shqipëri e tani gjatë zjarreve që shkrumbuan me mijëra hektarë. Ne kërkojmë ndërgjegjësim e bashkëpunim kombëtar në të gjitha fushat, drejt bashkimit" thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Ata i kërkojnë Bashkisë Korçë anulimin e ftesës në “Festën e Birrës” të muzikantit të shumëkontestuar, Goran Bregoviç.