Beteja për ujin e Sinecit vazhdon, banorët thonë se IKMT po favorizon kryebashkiakun e Kuçovës

Banorët e Sinecit nuk kanë marrë ende një përgjigje nga IKMT për kërkesën depozituar ku kërkojnë anulimin e projektit për ndërtimin e hidrocentralit.

Ata akuzojnë këtë institucion se po favorizon bashkinë e Kuçovës dhe kryebashkiakun Kreshnik Hajdari duke zvarritur procesin.

"Kryetari i bashkisë Kuçovë ka 4 shkelje të cilat mund të konstatohen në terren. IKMT në mënyrën më skandaloze e kriminale po mbulon një krim të ndodhur në atë zonë dhe po favorizon kryebashkiakun. Dëmtimi i zonës së mbrojtur është vepër penale dhe kushdo që e bën duhet të përgjigjet."

Argumentit të IKMT-së se nuk mund të japin një përgjigjie për shkak të procesit gjyqësor që banorët e Lumasit po zhvillojnë, janë hedhur poshtë nga protestuesit të cilët theksojnë se kanë hequr dorë nga ndjekja ligjore dhe se konstatimi i shkeljeve nga IMT Elbasan është një indicie e mjaftueshme.

Projekti i ndërtimit të hidrocentralit mbi lumin e Sinecit ka revoltuar banorët e Fshatit Lumas, të cilët kanë rreth katër muaj që protestojnë me kërkesën që zona e mbrojtur të mos preket.