Dogana greke punon me 1 sportel prej ditës së djeshme, radhë dhe pritje të gjata në Kapshticë

Emigrantët që po kthehen drejt vendeve të punës në Greqi po përballen me radhë në doganën e Kapshticës, për shkak se pala greke punon me vetëm një sportel. Pritja në mes të vapës zgjati me orë ndërsa radha e makinave shkoi disa kilometra.

Këto pamje tregojnë radhën me të cilën u përballën në Kapshticë, emigrantët që pas pushimeve të verës po kthehen në vendet ku jetojnë e punojnë në Greqi.

Vargu i makinave deri në mesditë shkoi me kilometra, ndërsa pritja mes temperaturave të larta të gushtit zgjati me orë të tëra.

"Mos të gënjejmë, kemi dy orë këtu. Presim tani të ikim. Njëri po ka ndonjë të njohur mund të futet kështu por një është ai."

"E lodhshme për ne sepse kemi akoma rrugë për të bërë."

Fëmijë e të moshuar ishin mes tyre.

"Shumë e vështirë, të presësh në temperaturë 40 Gradë me fëmijë dhe të sëmurë."

"Shumë e vështirë, fëmija 3 vjeç po qan, dua të kthehem mbrapa thotë."

"Për shkak të koronës kontrollojnë më shumë dhe kështu bëhet radha."

Situata kaotike në Kapshticë nisi pasditen e së mërkurës, ndërsa shkak është bërë pala greke e cila punon vetëm me një sportel.

"U mësuam me këtë, kemi 25 vjet. Çdo vit kështu bëhet, shqiptarët kanë shumë durim."

I lartë ishte fluksi edhe në hyrje, por pala shqiptare punon me tre sportele në hyrje dhe tre në dalje, çka shmang pritjen.

Pas më shumë se 7 muajsh mbyllje, për shkak të masave anti-Covid, lëvizja drejt Greqisë nga Kapshtica nisi më 1 korrik.