Alarmi pas hekurave, humbin gërshërët e infermierisë në burgun e Drenovës ku ndodhen dhe të penduarit
Zhdukja e një palë gërshërësh nga reparti i Infermierisë ka krijuar situatë alarmi brenda burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë të Korçës.
Burimet thonë se gërshërët përdoreshin në ambulancën e burgut dhe janë zhdukur dy ditë më parë në kohën kur në shërbim aty ka qene një infermier nga Korça.
Ky i fundit pretendon se në mbyllje të turnit i ka lënë në infermieri, por kur është bërë inventari mjeti prerës mungonte.
Dyshimet e forta janë se gërshërët janë marrë në infermieri nga i burgosuri i sigurisë së Lartë Klement Ibrahim, i cili atë ditë rezulton se ka marrë serum në infermierinë e Burgut të Drenovës.
Ky i fundit është marrë në pyetje dhe mbahet nën vëzhgim, por nuk e ka pranuar marrjen e gërshërëve që ende nuk gjenden.
Situata ka krijuar shqetësim deri në nivelet e larta të menaxhimit të burgjeve, pasi gërshërët mund të përdoren për sulme ndaj të burgosurve apo vetë gardianëve në burg.
Ajo çka e bën më alarmante të gjithë ngjarjen është se në Burgun e Drenovës ndodhen disa nga të dënuarit e konsideruar VIP, por edhe bashkëpunëtorë të Drejtësisë.
Mes tyre është edhe Luftar Reçi, i penduari që me dëshminë e tij bëri që të rihapen dosjet e bujshme të dy vrasjeve të bujshme të ndodhura në vitin 2005, ajo e Klodian Saliut dhe e biznesmenit Vajdin Lamaj.
Mbi bazë të deklarimeve të tij, SPAK ka ngritur akuza si të përfshirë Emiljano Shullazin, Lulzim Berishën dhe grupet e tyre.
Për të shmangur çdo ngjarje të mundshme, mësohet se në burg është rritur vigjilenca dhe për të gjetur gërshërët janë ushtruar kontrolle në qelitë e të gjithë të dënuarve.
Por deri më tani nuk ka asnjë rezultat dhe alarmi në burgun e Drenovës mbetet i kuq.
