Krimi në Shkodër i paralajmëruar, burri e dhunonte sistematikisht, gruaja kërkoi ndihmën e Policisë
Krimi në familje në Shkodër, ku burri vrau gruan dhe me pas veten, i shtohet listës së vrasjeve të paralajmëruara të cilat nuk u parandaluan nga institucionet.
Bashkëshortët Fadil dhe Sanije Bandulla kishin pasur në vazhdimësi konflikte për të cilat kishte marrë dijeni edhe policia e Shkodrës.
Gruaja sipas burimeve ishte dhunuar sistematikisht nga 79 vjeçari.
Hera më e fundit kishte ndodhur fundjavën e kaluar.
Dhuna siç duket ka qenë aq e rëndë, sa gruaja ka shkuar në urgjencë për të marrë ndihmë mjekësore ku thuhet se ka kërkuar ndihmën e policisë.
Aty mësohet se është paraqitur edhe efektivë të Policisë të cilët i kanë marrë dëshmi për të atë që kishte ndodhur.
Por policia e Shkodrës nuk e konfirmon nëse 83 vjeçarja Sanije Bandulla zyrtarizoi denoncimin ndaj bashkëshortit.
Burimet thonë se ky është vetëm një prej episodeve, të dhunës dhe konflikteve mes të moshuarve që të jetonin të vetëm në një banesë në Lagjen Ahmet Haxhia në Shkodër.
Aty Fadil ekzekutoi fillimisht bashkëshorten dhe më pas ia drejtoi vetes automatikun Kallashnikov që mbante pa leje.
Krimi u zbulua vetëm të mërkurën, por dyshohet se kishte ndodhur më herët.
