Makina luksoze dhe kanabis gati për shitje, arrestohen 2 të rinjtë në Sarandë

Policia e Sarandës ka goditur një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Si pasojë janë arrestuar në flagrancë shtetasit E. P., 31 vjeç, dhe G. Ç., 33 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”), të dy banues në lagjen nr.4, Sarandë.

Arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë kontrollit në një lokal në Sarandë, në pronësi të shtetasit E. P., dhe më pas gjatë kontrollit të ushtruar në 2 automjetet në përdorim nga shtetasi G. Ç., që ishin të parkuara pranë lokalit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi me lëndë narkotike e dyshuar kanabis, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në dhjetëra doza, gati për shitje.

Policia ka sekuestruar lëndën narkotike dhe 2 automjete.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.