Çfarë është ligji i Sheriatit dhe çfarë do të thotë për gratë në Afganistan?
Në konferencën e parë për shtyp, dje 17 gusht, talibanët deklaruan se do të qeverisin Afganistanin sipas Sheriatit, ose ligjit Islam.
Grupi ekstremist shpalli fitoren pas marrjes së kryeqytetit Kabul, duke i dhënë fund pothuajse dy dekadave të pranisë së një koalicioni të udhëhequr nga SHBA në vend.
Çfarë po ndodh në Afganistan?
Në konferencën e parë për shtyp pas marrjes së kontrollit, një zëdhënës i talibanëve tha se çështje të tilla si media dhe të drejtat e grave do të respektoheshin "brenda kornizës së ligjit islam", por grupi ende nuk ka dhënë hollësi se çfarë do të thotë kjo në praktikë.
Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, e cila u qëllua në moshën 15 vjeçare nga talibanët për fushatën për edukimin e vajzave në Pakistan, ka paralajmëruar se interpretimi i ligjit të Sheriatit nga talibanët mund të jetë katastrofik për sigurinë e grave dhe vajzave në vend.
"Kam pasur rastin të flas me disa aktiviste në Afganistan, përfshirë aktivistet për të drejtat e grave, dhe ato po ndajnë shqetësimin se nuk janë të sigurta se si do të jetë jeta e tyre," tha ajo për BBC.
"Shumë prej tyre mbajnë mend atë që po ndodhte në 1996-2001, dhe janë thellësisht të shqetësuar për sigurinë, të drejtat dhe aksesin e tyre në shkollë."
Talibanët kanë qenë të njohur për interpretimin e tyre të rreptë të sheriatit, duke përfshirë dënimet si ekzekutimet publike të vrasësve, të dënuar dhe shkelësit e ligjit.

Çfarë është Sheriati?
Sheriati është sistemi ligjor i Islamit. Ai rrjedh nga Kurani, libri i shenjtë i Islamit dhe 'Sunnah' dhe 'Hadith'; veprat dhe thëniet e Profetit Muhamed.
Sheriati fjalë për fjalë do të thotë "rruga e qartë, e shkelur mirë drejt ujit".
Ligji i Sheriatit vepron si një kod jetese, të cilit të gjithë myslimanët duhet t'i përmbahen, përfshirë lutjet, agjërimin dhe dhurimet për të varfrit.
Ai synon të ndihmojë myslimanët të kuptojnë se si ata duhet të sillen ne çdo aspekt të jetës, sipas dëshirave të Zotit.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Sheriati mund të udhëzojë çdo aspekt të jetës së përditshme për një mysliman.
Për shembull, një mysliman që pyet veten se çfarë të bëjë nëse kolegët e tij e ftojnë në lokal pas punës, ai mund t'i drejtohet një dijetari të Sheriatit për këshilla për të siguruar që ata të veprojnë brenda kuadrit ligjor të fesë së tyre.
Fushat e tjera të jetës së përditshme ku myslimanët mund t'i drejtohen Sheriatit për udhëzime përfshijnë ligjin familjar, financat dhe biznesin.
Cilat janë disa nga dënimet e ashpra?
Ligji i Sheriatit i ndan veprat penale në dy kategori të përgjithshme:veprat penale "hadd", të cilat janë krime të rënda me dënime të caktuara dhe krime "tazir", ku dënimi mbahet diskret nga gjykatësit.
Veprat penale Hadd përfshijnë vjedhjen, e cila mund të dënohet me amputimin (heqja) e dorës së autorit, dhe tradhtinë bashkëshortore, për të cilat gjithashtu mund të vendosen dënime të ashpra.
Si merren vendimet?
Ashtu si çdo sistem ligjor, Sheriati është kompleks dhe praktika e tij varet plotësisht nga cilësia dhe trajnimi i ekspertëve.
Juristët islamikë nxjerrin udhëzime dhe vendime. Udhëzimi që konsiderohet një vendim ligjor formal quhet fetva.
Ekzistojnë pesë shkolla të ndryshme të ligjit të Sheriatit. Ekzistojnë katër doktrina suni: Hanbali, Maliki, Shafi'i dhe Hanafi, dhe një doktrinë shiite, Shia Jaafari.
Pesë doktrinat ndryshojnë në mënyrën se si ata interpretojnë fjalë për fjalë tekstet, nga të cilat rrjedh ligji i Sheriatit.

