New York-u kërkon provë vaksinimi, bëhet qyteti i parë amerikan që e aprovon
Nju-Jorku është bërë qyteti i parë amerikan që ka filluar të kërkojë vaksinimin kundër Covid-19 në bar-restorante apo në vendet publike.
Urdhri i kryebashkiakut njujorkez, Bill de Blasio, hyri në fuqi të martën, 18 gusht dhe do të bëhet i detyrueshëm nga 13 shtatori, kur autoritetet do të nisin të aplikojnë gjoba 1mijë dollarëshe.
Certifikata e vaksinës u kërkohet personave mbi 12 vjeç që duan të frekuentojnë një ambient të mbyllur publik, muzetë apo palestrat.
"Personalisht, nuk më pëlqen kjo gjë. Mendoj se kështu i diskriminojmë njerëzit, kur nuk e lë dikë të hyjë në një biznes pa u vaksinuar. Aty brenda mund ta transmetojnë e marrin virusin edhe ata që janë vaksinuar."
"Mendoj se vaksinat janë të mira për të gjithë. Na mbrojnë shëndetin dhe nga lajmet mësojmë se me vaksinat, 95 për qind e njerëzve nuk përfundojnë në spital dhe 100 për qind, nuk vdesin," tha pronari i një restoranti.
"Ndjehem më i sigurt. E pashë këtë në një restorant ku kishte tabelën përkatëse. Kur shkon në një ambient ku e di se edhe punonjësit janë vaksinuar, të jep një ndjesi shtesë mbrojtjeje."
Bashkia njujorkeze thotë se 600 punonjës të administratës do të informojnë bizneset për urdhrin dhe se një program pilot për vaksinimin e qytetarëve jashtë restoranteve, po funksionon.
Pandemia rezultoi një dramë për qytetin amerikan pasi vitin e kaluar humbi mbi 33 mijë banorë prej virusit vdekjeprurës.
74 për qind e banorëve kanë marrë të paktën njërën dozë të vaksinës së Covid.
Edhe qytetet si San-Franciskoja po ndjekin shembullin e Nju-Jorkut dhe do të kërkojnë nga 20 gushti provën e vaksinimit, ndërkohë në Teksas, guvernatori republikan i shtetit ka ndaluar administratën lokale që të aplikojë masa të tilla.
