Afganët s'duan të kthehen në Turqi: Shteti turk na arreston
Evropa po përgatitet për një valë të re refugjatësh nga Afganistani.
Mbi gjysmë milion afganë e kanë lënë vendin nga fillimi i vitit dhe fluksi është shtuar ditët e fundit me marrjen e kontrollit politik nga Talibani.
Kriza po troket që tani në dyert e Turqisë, por ndryshe nga gjashtë vite më parë, këtë herë qeveria ka vendosur të marrë masa paraprake ndaj valës goditëse, dhe një mur 295 km i gjatë ka nisur të ndërtohet në kufi me Iranin.
Emigrantët e rinj thonë se nuk po mirëpriten dhe as nuk po mirëkuptohen nga autoritetet turke.
"Dua të qëndroj në Stamboll ose në Konia, dhe të punoj se jam berber, por shteti turk na arreston dhe na thotë kthehuni në Afganistan ose në Iran. Jam detyruar të vij këtu ilegalisht prej luftës," thotë Arman Ahmadi, migrant nga Afganistani.
"Uji na shitet ne afganëve 10-fish më shtrenjtë, prandaj do ikim nga Turqia, por kur të mbarojë lufta. Rexhep Taip Erdoani është vetë mysliman, dhe i them se nënës time dhe tim eti iu pre koka atje. Të më ndihmojë se nuk kam ku të shkoj," thotë Nakivillah Ikbali, migrant nga Afganistani.
Presidenti Erdoan i kërkoi të dielën ndihmë Pakistanit që të sigurojë paqen dhe stabilitetin në Afganistan, që të ndalet vala e emigrantëve.
Pakistani dhe Irani janë dy vendet fqinje me Afganistanin, por ndërsa shteti iranian po strehon rreth 3 milionë refugjatë afganë, shumë prej tyre nuk e preferojnë Pakistanin pasi e fajësojnë për qasjen ndaj Talibanit dhe për situatën aktuale.
Zyrtarë nga Greqia, Italia, Spanja, Malta dhe Qiproja diskutuan të mërkurën mbi zhvillimet në Afganistan dhe impaktin e tyre në Europë.
Ministri grek për emigracionin tha të martën se vendi i tij nuk do të bëhet sërish një portë hyrëse për refugjatët afganë që synojnë BE-në.
