Laçi pa trajner në prag të startit të sezonit, mbyllet bashkëpunimi me Shpëtim Duron

Përfundimi i aventurës europiane, edhe pse e suksesshme duket se nuk ka shërbyer mes Laçit dhe Shpëtim Duros për të gjetur një marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit mes palëve.

Trajnerit i përfundonte kontrata pas ndeshjeve në Conference League dhe pasi palët diskutuan për një rinovim të mundshëm nuk u arrit në një marrëveshje për të vijuar më tej.


Në krye të skuadrës kurbinase, Duro ka bërë mjaft mirë pasi mori drejtimin e bardhezinjve në dhjetor të vitit të kaluar, ku pasoi Armando Cungun.

Me punën e mirë që bëri, Laçi luftoi për titullin kampion deri në javën e fundit dhe e mbylli kampionatin në vendin e katërt, që i siguroi një vend në Conference League e siç duhet këtu arriti të kalonte dy raunde. Në raundin e tretë Laçi u ndal nga një gjigand i futbollit si Anderlecht e as Duro e as skuadra nuk mund të bënin më shumë.

Gjithsesi kjo aventurë u mbyll në prag të fillimit të Superiores dhe tashmë Laçit i duhet ta nisë nga zero me një trajner të ri që do të lajmërohet në ditët në vijim.