Laporta ngre alarmin: Situatë dramatike te Barcelona, humbjet gati 500 mln Euro

As largimi i Lionel Messit nuk e ka lehtësuar situatën financiare të Barcelonës. U desh reduktimi i ndjeshëm I pagës nga Gerard Pique që të regjistroheshin 3 lojtarë të blerë këtë verë si Depay, Garcia e Manaj(i ardhur nga ekipi B).

Gjithsesi për të bërë një pasqyrim të situatës financiare të klubit, presidenti Laporta doli në një konferencë për shtyp për të bërë qartësi por nga fjalët e tij u kuptua që Barcelona po kalon një nga momentet e saj më të vështira.

“Situata nuk është aspak e mirë, madje dramatike pasi kemi humbje të jashtëzakonshme. Gjëja e parë që kemi bërë sapo morëm drejtimin e klubit, ishte të kërkonte një hua prej 80 milionë eurosh, përndryshe ne nuk do të kishim patur mundësi që të paguanim pagat e lojtarëve dhe të stafit. Kishte një politikë të keqe të pagave të ekipit që ka bërë shumë dëme dhe mjafton të them që të rinjtë kishin kontrata të shkurtra dhe veteranët kishin kontrata të gjata. Kishte probleme edhe me Camp Nou, ndaj u detyruam të ndërhynim për t'i zgjidhur ato ku shpenzuam 1.1 milion dhe falë këtyre parave ne arritëm që të hapnim përsëri stadiumin për ndeshjet e La Ligas”.

Më pas numri 1 i klubit katalanas zbuloi humbjet në shifra duke zbuluar edhe kreditimin që ka bërë klubi për të shmangur katastrofën te Barcelona.

"Klubi nuk kishte para, u desh një rifinancim prej 560 milion, me 9% interes sepse kemi humbje prej 468 milionë ndaj dhe banka na vuri shumë kushte. Ndikimi i pandemisë na ka shkaktuar 91 milionë euro humbje vetëm nga mbyllja e stadiumit. Barcelona ka një vlerë neto negative të borxhit prej 491 milion, është një situatë delikate që na ka detyruar të punojmë me auditorët e duhur për t'i demonstruar kreditorëve tanë se mund të ecim përpara me ne. Borxhi bankar i klubit është rritur në më shumë se 600 milionë Euro”.

E gjithë kjo situatë sipas Laportas vjen më shumë nga keqmenaxhimi nga presidenca e mëparshme me Bartomeun në krye plus më tej edhe pandemia por ai u shpreh gjatë conferences për shtyp se askush që ka abuzuar dhe ka keqmenaxhuar klubin nuk do t’i shpëtojë përgjegjësive ligjore.