Sabotazh në Moto GP, Yamaha akuzon Vinales se ka dëmtuar qëllimisht motorin
Një bombë e vërtetë ishte sot lajmi i pezullimit të Maverick Vinales nga Yamaha. Piloti spanjoll mësohet se është akuzuar direkt nga skuadra e tij se ka sabotuar motorin YZR-M1 qëllimisht në garën e kaluar në Spielberg dhe në këtë mënyrë skuadra e ka pezulluar që do të thotë se nuk do të jetë në pistë në garën e ardhshme të Austrisë.
Dyshohet se Vinales ka vepruar në mënyrë të tillë që të dëmtojë motorin e tij YZR-M1 gjaté garimit dhe në një deklaratë zyrtare, Yamaha shpjegoi se pezullimi erdhi për shkak të një problemi të pashpjegueshëm të motorit gjatë garës së fundjavës së kaluar.
Në deklaratë thuhet se pas analizave të gjera të telemetrisë dhe analizave të të dhënave në ditët e fundit, u konfirmua se veprimet e pilotit jané bërë shkak potencial për prishjen e motorit dhe gjithashtu ka vënë nê rrezik edhe jetën e pilotëve të tjerë në pistë.
Vinales nuk do të zëvendësohet nga Yamaha në garën e radhës në Austri por besohet se ai nuk do të pilotojë më një Yamaha dhe se skuderia japoneze do të njoftojë edhe ndërprerjen e kontratës me spanjollin.
