Bayern Munchen nxjerr në shitje Tolisso, ka gati zëvendësuesin e francezit
I sapo rikthyer në Mynih për të rifilluar stërvitjen pasi u izolua në Francë sepse kishte rezultuar pozitiv me Covid dhjetë ditë më parë, Corentin Tolisso ka mësuar se nuk është pjesë e planeve të Julian Nagelsmann, trajneri i ri i bavarezëve.
I lidhur me kontratë me klubin gjerman deri në qershor 2022, mesfushori francez mund të largohet nga Bayern Munchen deri më 31 gusht dhe kjo, pas katër sezoneve shpesh të karakterizuar nga dëmtime të shpeshta fizike.
Gjatë një takimi të bordit drejtues tëBayernit, drejtuesit vendosën ta nxjerrin në shitje Tolisson, e të pranojnë edhe oferta deri në rreth 10 milionë euro, katër herë më pak se kur ai mbërriti në Mynih nga Lyoni në gusht të 2017 për 38 mln Euro.
Juventus, Manchester United, Arsenal dhe West Ham vlerësojnë profilin e lojtarit francez i cili nuk e ka fshehur kurrë admirimin e tij për Premier League.
Ndërkohë nga ana tjetër, menjëherë sapo Tolisso të shitet, drejtuesit kanë zgjedhur edhe pasuesin e tij i cili do të vijë sërish nga Leipzig. Pas Upamecano dhe trajnerit Nagelsmann që erdhën nga kjo skuadër, edhe goditja në mesfushë, Marcel Sabitzer pritet të vijë nga Leipzig për një operacion afro 20 mln Euro.
