Renato Arapi: Do të tentojmë kualifikimin, duhet të shënojmë të parët ndaj Shamrock
Teuta do të luajë nesër shanset e saj për të kaluar në fazën playoff të Conference League që do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për kampionët në fuqi të Shqipërisë. Durrsakët vijnë pas humbjes dramatike 1-0 në sekondat e fundit dhe tani duhet të bejnë të njëjtën gjë këtu për të avancuar më tej në Europë.
Në prag të këtij dueli foli kapiteni Renato Arapi i cili u duk optimist për sfidën dhe për shanset e kualifikimit.
"Duhet të përpiqemi të shënojmë golin e parë ndaj Shamrock, pastaj duke parë duke bërë, sepse çdo ndeshje është histori më vete dhe ka vështirësitë e veta. Nuk duhet të kemi presionin e golit të shpejtë, sepse mund të na çekuilibrojë në fushë. Shamrock nuk është skuadër e dorës së dytë siç është përfolur para ndeshjes.
Janë të fortë por edhe ne kemi një skuadër cilësore dhe kompetitive, pjesa më e madhe e futbollistëve kanë eksperiencë në kupat e Europës. Do të bëjmë një ndeshje duke tentuar kualifikimin. Shpresojmë t’ia dalim, sepse për këtë gjë jemi përgatitur".
Arapi më pas tha se do të ishte diçka e jashtëzakonshme për Teutën të avanconte më tej ndërsa shpjegoj edhe luhatjet në paraqitje nga skuadra në Europë.
"Nivelii i futbollit shqiptar ky është, nuk duhet të presim që të kalojmë me lehtësi në grupe. Ndoshta në takimin e parë nuk ishte vlerësuar si duhet skuadra nga Andorra, por rezultoi ndryshe në takimin e dytë. E rëndësishme për futbollistët dhe klubin është të kalojmë Shamrockun, sepse është hera e parë që kemi arritur në raundin e tretë dhe do të thoshte shumë për Teutën dhe tifozët".
Ndërkohë që në konferencën për shtyp foli edhe ndihmës trajneri Bledar Hodo i cili siguroi se skuadra ka gjendje të mirë fizike. Ai tha se do të rikthehet në fushë Albani Aleksi dhe se skuadra do të bëjë të pamundurën për të fituar ndeshjen pa pësuar gol e gjithashtu pohoi se të gjithë besojnë te kualifikimi.
