Al Khelaifi i prerë: Messi, kulmi i projektit. Mbappe nuk ikën nga PSG
Në prezantimin e Lionel Messit si lojtar i PSG, eventit më të ndjekur sot nga miliona persona në të gjithë globin, foli edhe Nasser Al Khelaifi, numri 1 i klubit parizien i cili nuk e fshehu gëzimin për ardhjen e Messit për të cilin tha se është kulmi i një projekti të nisur vite më parë.
“Jam shumë i lumtur, shumë krenar që prezantoj sot Leo Messin si lojtar të PSG -së. Është një ditë historike, e pabesueshme për këtë klub dhe gjithë botën e futbollit. Shpresoj që Parisi të bëhet qyteti I tij preferuar dhe mendoj se është vetëm fillimi pasi tani vjen puna e madhe në fushë, ajo që ka vërtet rëndësi.
Leo ka fituar shumë trofe dhe do të vazhdojë të fitojë me shokët e tij të rinj të skuadrës. Ne kemi disa nga futbollistët më të fortë në botë dhe një nga trajnerët më të mirë në botë. Të gjithë e njohin Leo, ai është unik, i vetmi që ka fituar Topin e Artë gjashtë herë, ai i ka dhënë magjinë e tij futbollit dhe do të jetë e mrekullueshme për të gjithë tifozët e PSG por edhe atë që ne menaxhuam të bëjmë me Leonardon dhe të gjithë klubin është e pabesueshme. Mbaj mend ditën e parë të Leonardos këtu dhjetë vjet më parë, njerëzit po pyesnin se çfarë do të bëhej me këtë klub. Ne kishim ambicie të mëdha dhe sot po e bëjmë këtë me krenari të madhe. "
Pas fjalëve të mira në këtë ditë historike bosi i klubit parizien iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve ku sigurisht e para kishte të bënte me Mbappe e më pas edhe me Fair Play Financiar, se si ja doli PSG të merrte Messin dhe njëkohësisht të mbajë të gjithë yjet e skuadrës.
“Mbappe?
Të gjithë e dine, do të qëndrojë këtu në Paris, është një lojtar shumë kompetitiv dhe që ka kualitetin e një fituesi dhe një skuadër më competitive se PSG është e vështirë për t’u menduar. Ndaj dhe Kylian do të qëndrojë këtu për të fituar”.
Fair Play Financiar
Nuk i shpëtoi Khelaifi edhe pyetjeve për rregullat e Fair Play Financiar dhe si do t’ia dale PSG t’i mbajë kaq shumë yje në skuadër nga ana financiare…
“Ne kemi ndjekur të gjitha rregullat e Fair Play Financiar, ne respektojmë gjithçka dhe para se të ndërmarrim ndonjë hap kemi folur me të gjithë anëtarët e Ligue 1, me partnerët tanë dhe kjo ka bërë të mundur afrimin e Messit. Sot mund ta shihni se është një operacion i jashtëzakonshme, por shumë herë njerëzit përpiqen të shohin negativisht. Mendoj se gjithçka u bë në mënyrën më të mirë, i gjithë klubi është i përkushtuar për këtë blerje dhe ne vërtet i kontrollojmë të gjitha shifrat në detaje. ne respektuam gjithçka që duhej”, përfundoi numri 1 i klubit në fjalën e tij.
