Simeone i nervozuar me lojtarët: Jemi kampionët, do vijnë të na kafshojnë prapanicën e të na shtypin!
Edhe pse me një merkato jo shumë entuziaste, Atl. Madrid bëhet gati për debutimin në La Liga më 15 Gusht dhe gjërat sa vijnë e bëhen serioze e gjithashtu edhe një trajner si Diego Simeone bëhet tepër serioz.
El Cholon e njohim prej vitesh dhe kurrë nuk lejon relaksim, e aq më tepër në prag të fillimit të mbrojtjes së titullit kampion dhe séance e sotme stërvitore në të cilin ai bëri prova për sfidën kundër Celta-s këtë të dielë, është shembulli më i mirë.
Trajneri argjentinas nuk ishte aspak i kënaqur me mënyrën sesi po stërviteshin lojtarët e tij, si me topin në këmbë ashtu edhe kur ata nuk e kishin atë. Prandaj, ai nuk ngurroi të ndalonte seancën dhe të shprehte atë që ndjente me zë të lartë.
"Ne jemi kampionët, ata do të dalin dhe të na kafshojnë bythën ... dhe të na shtypin keq!", bërtiti ai në një paralajmërim të qartë se kjo nuk ishte mënyra për t’u përgatitur për ndeshjen në Balaidos kundër Celta Vigos.
Në këtë mënyrë, trajneri u kujtoi lojtarëve të tij se këtë sezon ata e nisin si skuadra që duhet mposhtur, prandaj është e nevojshme të jenë të vetëdijshëm për këtë që në momentin e parë dhe, mbi të gjitha, të mos ndalen asnjëherë së vrapuari.
Të dielën, Atletico do të zbresë në fushë në sfidën e parë të sezonit të ri në La Liga, ku sigurisht “los colchoneros” shihen si favoritët ende duke qenë se nuk kanë shitur asnjë lojtarë, kanë ruajtur grupin e për më tepër, rivalët si Reali e Barça nuk janë përforcuar aspak ashtu siç u ka hije si dy gjigantë të futbollit spanjoll.
