As largimi i Messit nuk e shpëton Barcelonën, situatë dramatike me pagat

Barcelona po kalon kohët më të vështira të viteve të fundit. E pati thënë edhe presidenti Laporta që pa kontratën e Messit, pagat e lojtarëve kanë arritur 100% të të ardhurave dhe tashmë rreziku është konkret.

Aguero, Depay, Garcia dhe Emerson janë blerjet e katalanasve për sezonin e ri dhe ende nuk janë regjistruar e as nuk mund të regjistrohen për shkak të limitit të ezauruar të të ardhurave në raport me buxhetin e pagave.

Klubi po punon intensivisht për të negociuar me grupin e lojtarëve për uljen e pagave dhe nuk po ia del teksa duhet të largohen urgjentisht edhe disa futbollistë që kanë paga të larta dhe nuk janë në planet e Koeman.


Miralem Pjaniç, Samuel Umtiti dhe Coutinho janë futbollistët që duhet të largohen për t’i dhënë frymëmarrje financiare Barcelonës teksa boshnjaku ka një pagë 9 mln Euro, Umtiti 6 mln Euro dhe Coutinho 12 mln Euro neto që po të llogaritet bruto janë në total afro 55 mln euro që lirohen nga buxheti.

Për momentin, Barcelona mund të regjistrojë si përforcim vetëm të riun Yusuf Demir që vjen nga Barça B ndërsa të tjerët duhet të presin por koha nuk premton.