Inter prish kontratën me Nainggolan, tani sulm për Dzeko, Correa e Dumfries
Merkato e Interit do të jetë me pikatore dhe me përforcime të mirëmenduara për shkak të situatës së vështirë financiare. Shitja e Lukakut dhe Hakimi ka zhgënjyer së tepërmi tifozët dhe drejtuesit gjithashtu por ekipi do të përfocohet pa diskutim.
Por para se të vijnë lojtarët e rinj, zikaltërit mbyllën edhe llogaritë me një tjetër lojtar që nuk ishte në planet e tyre, Radja Nainggolan me të cilin prishën kontratën me consensus duke i dhënë 2.2 mln Euro lojtarit që pranoi mbylljen e marrëveshjes ndërsa në bilanc, sigurisht që do të jetë një minusvalencë prej 8-9 mln Euro.
Në sulm, siç dihet goditjet do të jenë dy dhe Dzeko është alternative e parë me të cilin ka një akord 2-vjeçar me page 5.5 mln euro dhe pritet vetëm marrëveshja financiare me Romën që do të jetë pothuajse minimale.
Emri i dytë në sulm është ai i Correas, i preferuar më shumë ndaj Zapatas dhe një tjetër arsye është se Inzaghi e njeh mirë argjentinasin që e ka stërvitur te Lazio. Operacioni mund të mbyllet për 25 mln Euro plus 5 mln Euro bonuse teksa edhe me lojtarin akordi mes palëve është arritur.
Me kompletimin e sulmit, Interi do të bëjë edhe një goditje nga krahët për të zëvendësuar Hakimin dhe i preferuari i drejtuesve është Dumfries, holandezi i PSV i cili ua ka bërë të ditur klubit se do të largohet dhe po pret vetëm ofertën e Interit që nuk shkon më shumë se 15 mln Euro, 5 më pak se pretendimet e klubit holandez.
Gjithsesi ka optimizëm për të rikuperuar humbjet e Lukakut dhe Hakimit ndërsa nuk përjashtohet edhe një goditje e fundit, si jolly i cili është Nandez i Cagliarit por për këtë të fundit duhet të lirohet një vend në mesfushë dhe I destinuari është Vidal.
