Tre mln euro në vit për plehrat e Durrësit, Guri: Problem i vjetër, janë të lëna qëllimisht  

Bashkia e Durrësit ka nisur procedurat për të dhënë me negocim tenderin për depozitimin e mbetjeve. Edhe Bisedimet e drejtpërdrejta konsiderohen si formë spekulimi, është vendosur që ato të realizohen për fondin 287 milionë e 216 mijë lekë, ose rreth 2.3 milionë euro.

Kjo procedurë është publikuar në faqen e prokurimeve publike në datën 9 gusht duke i hapur rrugën kësaj bashkie që të kontaktojë më subjektet që kanë kapacitet të përpunojnë mbetjet.

Ambientalisti Sazan Guri në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora u shpreh se problemi i mbetjeve në bashkinë e Durrësit është i vjetër dhe sipas tij këto mbetje janë të lëna qëllimisht.

Guri: "Durrësi është problem shumë i vjetër, sikundër shumë qytete të tjera të Shqipërisë, por Durrësi ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak se ka popullsi të madhe pas Tiranës, por edhe  sepse ndodhet pas bregdetit dhe plehrat hidheshin në një zonë afër Porto Romanos. Këta pritën që Durrësi të keqmenaxhohej që të merrej ky lloj vendimi, vendim emergjent. Këto janë qëllimisht të lëna që të merret vendimi për shkak se kërkon urgjencë.

Në këto kushte emergjence duket sikur janë vendime pozitive, por në fakt këta duan t'i shërbejnë qëllimit të madh. Qëllimi i tyre kryesor është që Durrësi të bëjë një distancë të pajustifikuar rrugore për t'i çuar të gjitha mbetjet e Durrësit, për t'i djegur dhe pa marrë parasysh përfitimet e tjera që vijnë nga riciklimi apo plehëzimi. "

Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku