Sherre e dhunë në familje / Plagoset 55 vjeçari në Vlorë, familja rrihet për pronat në Durrës

Katër anëtarët e një familje u rrahën me njëri tjetrin për një pronë në Durrës, ndërsa në Lezhë, dy burra u prangosën pasi dhunuan gratë! Në Vlorë ndërkohë një 55 vjeçar u plagos pas një sherri të çastit! Dhuna në familje, konfliktet për çështjet e pronësisë dhe sherret e çastit, konfirmohen nga të dhënat e Policisë ndër ngjarjet më të shpeshta këto ditë vere.

Një 55 vjeçar u plagos në Vlorë me Armë gjahu.

Viktor Hyso banues në Novosel u qëllua nga Sotir Gjonçari, banor I fshatit banues në Delisuf.

Ngjarja ndodhi  pranë vendit të quajtur “Lumi i Kripës”, në afërsi të fshatit Dëllënjë.

Siç njofton policia e Vlorës, përdorimi i armës pasoi një konflikt mes dy burrave për motive të konsideruara të dobëta

Pas debateve Sotir Gjonçari sulmoi me çiften që mbante me leje 55 vjeçarin Hyso.

Ky i fundit është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës, nga ku burimet thonë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën!

Autori Sotir Gjonçari, u vu në pranga nga blutë e Vlorës, ndërsa në orët në vijim, dëshmia e tij pritet të zbardhë më shumë detaje për motivet e sherrit me Viktor Hyson që përfundoi me plumba.

Ndërkohë një çështje pronësie ka çuar një konflikt fizik anëtarët e një familje në Sukth të Durrësit!

Sipas policisë dy vëllezër përkatësisht 60 dhe 67 vjeç, një grua 52 vjeçe, dhe një i ri goditën dhe ushtruan dhunë ndaj njëri tjetrit.

Ndërhyrja në kohë e bluve, shmangu rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, duke vënë në pranga tre burrat, ndërsa gruaja do të hetohet në gjendje të lirë!

Të dhënat ditore të policisë së Shtetit konfirmojnë se dhuna në familje mbetet problem shqetësues në shoqërinë shqiptare.

Dy burra përfunduan në prangat e Policisë në Lezhë këtë të hënë pasi dhunuan fizikisht bashkëshortet në ambientet e shtëpive.

Të arrestuarit janë Shefqet Rusi dhe Luan Zefi.

Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, në harkun janar-qershor u denoncuan 683 raste të dhunës në familje, 169 më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

7 gra e 5 vajza kanë mbetur viktimë e krimeve në familje në 7 muajt e parë të vitit 2021.