Firma "Salillari" shkon të vijojë punimet mbi lumin Sinec, banorët e ndalojnë
Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura përmes një shkrese zyrtare pak ditë më parë urdhëronte Bashkinë e Kuçovës dhe firmën “Salillari” që të ndërpriste menjëherë punimet në Sinec pasi punimet cënojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, territorin e shpallur “Monument Natyror”.
Por, paraditen e së hënës (2 gusht 2021) mjetet e firmës së ndërtimit po punonin në zonë, pavarësisht vendimit.
Kjo situatë ka nxitur banorët që të ringrihen në protestë.
Ata kanë thënë se punimet tanimë zyrtarisht janë të paligjshme, ndaj aty nuk duhet të ndërhyhet më.
“Nuk e di çfarë presim këtu duhet të kishte ardhur edhe kryeprokurori” thanë banorët
Në ndihmë të banorëve ishte edhe ambientalisti Sazan Guri, i cili tha se është ndërhyrë qindra metra në zonën e mbrojtur.
”Një grabitje, një kuçedër me shtatë koka. Bashkia e Kuçovës të ndalojë urgjentisht punimet”
Avokati i Banorëve tha se edhe IKMT është urdhëruar për të prishur të gjitha objektet e ndërtuar nga kompania.
Prej 3 muajsh banorët e Lumasit protestojnë kundër ndërhyrjes në zonën e Sinecit, që është edhe monument i mbrojtur natyre. Pas protestës së të hënës firma “Salillari” ndërpreu punimet për disa orë, ndërsa nuk dihet nëse do t’i vazhdojë ato.
