Karaburuni në flakë/ Peleshi: Jemi më mirë se vendet e rajonit, nuk shuhen flakët në një ditë
Pas 11 ditësh kur ka nisur të digjet Karaburuni, ministri Niko Peleshi ka zbritur në terren nga ku ka sulmuar kritikët. Sipas tij Shqipëria është më mirë se vendet e rajonit, teksa për kritikët shton se presin shuarjen e flakëve në një ditë. Nga ana tjetër ambientalistët shtojnë se në Shqipëri nuk ka një plan afatgjatë
Prej 11 ditësh qindra hektarë tokë në Karaburun po shkrumbohen pavarësisht angazhimit të forcave të armatosura dhe të zjarrfikësve. Por për ministrin e mbrojtjes Niko Peleshi situata është nën kontroll madje në Vlorë ai shprehet falenderues që në vendin tonë nuk ka viktima. Sipas tij E vetmja vatër serioze është ajo në Karaburun, ndërsa në materialin e shpërndarë për mediat prej zyrës së shtypit ai shigjeton dhe kritikët
“Në krye të detyrës vazhdoni në jeni, keni bërë një punë të jashtëzakonshme për koordinimin e të gjitha strukturave të Pushtetit vendor. E konsiderojmë deri të menaxhuar me sukses, nuk kemi pasur humbje jete, nuk kemi pasur të lënduar, nuk kemi pasur as banesa të djegura.”-shprehet ai.
Ambientalistët kanë tjetër mendim nga përfaqësuesi i qeverisë. Romeo Hanxhari, nisur dhe nga ndryshimet globale klimatike, thotë se për menaxhimin e situatës duhet të bëhet një plan afatgjatë, dhe jo të mjaftohemi me zgjidhjet e momentit.
“Së pari është një problem i rendit publik dhe së dyti është një çështje e menaxhimit strategjik të këtij rreziku që quhet natyror. Por ne duhet të përgatitemi të adoptohemi me ndryshimet klimatike. “- shprehet ai.
Ai sugjeron që shuarja e flakëve të mos lihet në dorë të pushteti lokal.
“Pushteti lokal nuk mund të bëjë asgjë, këto janë thjesht alibi, duke ja lënë dikur që nuk e ka forcën që të blejë helikopter”- tha ai.
Rikuperimi 100% i zonave të djegura është thuajse e pamundur, por ripyllëzimi mund të arrihet pas një kohe shumë të gjatë
“Një sipërfaqe që të marrë kriteret e një pylli natyror duhet të lënë në qetësi për dhjetëra vite dhe sërish nuk jemi të sigurt nëse arrin nivelin e një pylli natyror”-shprehet ai.
Zonat më të rrezikuara janë ato të shkurreve dhe haloret.
“Kryesisht është e ekspozuar zona qendrore dhe jugore e vendit tonë, përgjithësisht shkurret brezi i shkurreve, por edhe halorët.”
Për më shumë se një muaj Shqipëria është nën pushtetin e flakëve, dhe sipas institucioneve një pjesë e konsiderueshme e tyre janë raportuar si zjarrëvënie e qëllimshme.


