Aksident në Prrenjas, makina përplas këmbësoren, humb jetën 57-vjeçarja

Një këmbësore u përplas për vdekje nga një makinë në aksin Librazhd Prrenjas. Aksioni i policisë së Shtetit për rritjen e sigurisë  nuk po e zbut agresivitetin e shoferëve në rrugë, pavarësisht ndëshkimit të atyre që kapen në shkelje!

Një 57 vjeçare humbi jetën në aksin rrugor Librazhd Prrenjas.

Qamile Hana po lëvizte si këmbësore pranë fshatit Urakë ku u përplas nga një makinë.

Goditja ishte e fortë dhe gruaja ndërroi jetë menjëherë. Drejtuesja e makinës ndërkohë u shoqërua në policinë e Elbasanit deri në sqarimin e shkaqeve të aksidentit.

Ndërsa këto pamje tregojnë një aksident në  Gjoricë të Bulqizës.

Dy makina u përplasën mbi Urën e lumit Drin në Gjoricë, pjesë e rrugës së Arbrit.

Disa persona që udhëtonin me mjetet mbeten të lënduar dhe morën trajtim në Spitalin Rajonal të Dibrës.

Vendi ku ndodhi aksidenti është pjesë e rrugës së Arbrit por ende nuk është kolauduar për të qarkulluar në të.

105 persona kanë humbur jetën në aksidente në 6 muajt e parë të vitit, ndërsa ngjarjet e rënda në rrugë kanë vijuar edhe përgjatë Korrikut.

Duke analizuar shkaqet, INSTAT thotë se 86,3 % e aksidenteve kanë si shkak sjelljen e shoferëve.

Këto pamje të shpërndara nga Policia e Shtetit konfirmojnë më së mirë këto përfundime.

9 shoferë janë arrestuar në 24 orët e fundit në rrugët  e vendit pasi drejtonin makinat pa patente ose në gjendje të dehur.

79 leje drejtimi u pezulluan,  nga të cilat 53 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 26 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.    

Ndërsa dy të rinj u gjobitën me 50.000 dhe 1000.000 lekë të rinj pas publikimit online të videove ku shfaqeshin duke bërë manovra të rrezikshme në rrugë.