Veliaj sfidon Ramën, 4 prokurorime pa garë, ikin ofertuesit më të lirë
Kërkesa e kryeministrit Rama që t’u jepet fund tenderave pa garë duket se nuk është dëgjuar nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet që ajo ka në varësi.
Vetëm në buletinin e fundit të publikuar këtë të hënë në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike rezultojnë 6 procedura, në 4 prej të cilave konkurrenca ka munguar.
Në një rast është Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit që ka hapur garën për Rikosntruksionin e ambienteve të brendshme të klinikës veterinare me fond limit 3.7 milionë lekë. Për kontratën kanë shfaqur interes dy kompani por një prej tyre është skualifikuar duke lënë kështu të vetmin në garë “Ndregjoni SHPK” me ofertën 3.6 milionë lekë.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka kryer gjithashtu një procedurë me vlerë 13.9 milionë lekë që kishte për objekt pyllëzimin me akacie. Sërish në garë morën pjesë 2 kompani, por çuditërisht ajo me ofertën më të ulët vendosi të tërhiqet nga procedura.
Por kjo është një metodë që konstatohet pothuajse në të gjitha institucionet që Veliaj ka në vartësi pasi edhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka vepruar në të njëjtën mënyrë për procedurën me fond limit 4.9 milionë lekë. Sërish, në fund të procedurës ka mbetur vetëm një kompani, që është shpallur automatikisht edhe fituesja.
Madje, përjashtim nuk bëjnë as rastet kur pjesëmarrëse në tender rezulton vetëm një kompani, pa asnjë konkurrent përballë. Një rast i tillë është konstatuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik Tiranë për shpenzimet e siguracionit të mjeteve të transportit që kap vlerën e 2.2 miliardë lekëve.
Tashmë duhet të jetë SPAK që duhet të vendosë nëse do të nisë apo jo një hetim të thelluar në Bashkinë e Tiranës për mënyrën se si zhvillohen tenderat në këtë institucion pasi paralajmërimi i kryeministrit Rama dhe thirrja për ndalimin e zhvillimit të këtyre procedurave nuk është zbatuar.

