Raporti i OSBE/ Vokshi: Zgjedhjet në Shqipëri nuk përcaktojnë vullnetin e popullit, por kush është më i forti

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Indrit Vokshi, ka komentuar raportin final të OSBE/ ODIHR, për zgjedhjet e 25 Prillit .

Vokshi është shprehur se është traditë shqiptare që zgjedhjet të komentohen në mënyra të ndryshme nga partitë politike, teksa shton se ajo që është paraqitur në raport ishin të gjitha të dëgjuara në vendin tonë.

Më tej ai është shprehur se zgjedhjet  nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit shqiptar, por se kush është më i forti në vendin tonë, duke lënë të nënkuptohet se fjala është për partinë në pushtet.

"Kjo është e traditës shqiptare, gjithmonë pas zgjedhjeve ose edhe me raportet e departamentit të shtetit, partitë politike i interpretojnë në interesin dhe favorin e tyre, deri në përmase qesharake, raportet e institucioneve ndërkombëtare. Është traditë e partive politike. Nuk është traditë e mirë, sepse dokumente të tilla të rëndësishme kthehen në parodi dhe në Komedi, ku palët lexojnë në mënyrë të kundërt një fjali, por përtej leximit të palëve, për ata të cilët kanë interesat a lexojnë vërtetë se çfarë shkruhet në raportin e OSBE/ODIHR, raporti na tha ne ato që ne i dimë por nuk dihet se për çfarë arsye, kemi dëshirë dhe kënaqemi ku i lexojmë në gjuhën angleze.  Çfarë është thënë në raportin e OSBE/ ODIHR, është jo çka të gjithë shqiptarët e dimë në qytetet, në fshatrat apo në lagjet e tyre, e dinë se blihet vota.

Njerëzit ndahen  në dy palë, tek njëra që thonë se mirë bëmë që e blemë dhe te tjetra që thonë nuk blihet vota. Të gjithë e dinë se administrate e shtetit përdoret në të gjithë kapacitetin e sja në favor të një partie politike, dhe njerëzit ndahen në pikën që mirë që u përdor dhe në disa të tjerë thonë që nuk duhet të përdoret. Këto janë probleme që shqiptarët i dimë, i shohim ditë për ditë dhe fatkeqësisht duket se jemi mësuar me këto fenomene të cilat na kanë çuar në asgjësimin e zgjedhjeve.  Në Shqipëri, zgjedhjet nuk është mënyra për të lexuar se cili është  vullneti i popullit shqiptar, nuk përfaqësojnë zgjedhjet vullnetin e popullit shqiptar, zgjedhjet tregojnë vetëm diçka se cili është më i forti në Shqipëri,  pra me grupe me shtet, me biznesmenë me banda. Ditën e zgjedhjeve ne marrim vesh se cili është më i forti në Shqipëri.

Por secili është vullneti i popullit shqiptar ne nuk mund ta marrim vesh, dhe në këtë kuptim quhet asgjësim i zgjedhjeve. Është e vështirë të ndryshohet një kulture, kultura përfshinë shumëçka, është shumë e gjerë por mund të ndryshohet vetëm nëpërmjet sensibilizimit dhe luftës së vazhdueshme, për të bindur se kjo rrugë nuk të çon askund. Sepse nëse asgjësohen zgjedhjet interesat të cilat instalohen në shtet nuk janë legjitime ligjore dhe kushtetuese të qytetarëve shqiptarë. Ligji dhe Kushtetuta nuk janë bërë për të ruajtur interesat e grupeve oligarkike, ato janë instrumente për të përfaqësuar interesat legale Kushtetuese, politike, sociale të qytetarëve shqiptarë.

Ata që janë të interesuar për të zhdukur institucionin e zgjedhjeve, janë ata që kanë orekse diktatoriale. PS ka ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve dhe  ka bërë gjithçka që në Shqipëri të mos ketë më zgjedhje. E ka përdorur si instrument për të ardhur vetë dhe ua ka hequr si instrument të tjerëve.