Rindërtimi ngec në Durrës

Rindërtimi, një nga shtyllat ku Edi Rama mbështeti fushatën e zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, duket se nuk po ecën me ritmet e duhura tashmë që Kryeministri siguroi mandatin e tretë.

Në Durrës familjet e mbetura pa strehë pas tërmetit të vitit 2019 vijojnë të përballen me burokracitë e administratës publike.

Të hënën, 26 korrik, Këshilli Bashkiak vendosi të shtyjë për në mbledhjen e radhës miratimin e listës së banorëve që përfitojnë nga programi i procesit të rindërtimit për katër banesa kolektive në lagjen nr.17 në rrugën “Lura”.

Janë mbi 10 familje që jetonin në këto banesa dhe që ende janë pa zgjidhje ndërsa këshilltarët u shprehën se kërkojnë më tepër kohë për t`u njohur me materialet.

Ecurinë jo të mirë të procesit të rindërtimit e nënkuptoi përmes shifrave dhe Kryetarja e Komanduar e Bashkisë Durrës Emirjana Sako.

 “Kemi pasur 104 pallate dhe 120 banesa individuale me shkallën e dëmtimit DS4. Deri më tani kemi në zbatim 13 objekte. Janë përfunduar 52 pallate të cilat janë dorëzuar në bashki dhe i kemi dërguar kërkesën për financim ministrisë së shtetit për rindërtimin, kemi ende 40 objekte që presin oponencën e Institutit të Rindërtimit”

Qarku i Durrësit ishte me i prekuri nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Pas një viti e gjysmë nga ngjarja tragjike, në zonat rurale ka ende familje që jetojnë në çadra.