Sezoni turistik "bllokon" Lezhën/ Mena: Mungesa e standarteve në rrugë shkak i trafikut të rënduar
Sezoni Turistik ka shtuar fluksin e automjeteve në rrugët e Lezhës, ndërsa situata më e rënduar paraqitet në akset drejt bregdetit. Autoritetet e policisë rrugore apelojnë qytetarët për kujdes ndërsa thonë se nuk do t’i tolerojnë shkeljet.
Qarkullimi në Lezhë është kthyer në makth për përdoruesit e rrugës. Sezoni turistik po shoqërohet me fluks të lartë automjetesh, duke krijuar trafik të rënduar e shpesh herë dhe bllokim total të lëvizjes, ndërsa segmentet më problematike janë superstrada nga Miloti në Balldre dhe rruga e Shëngjinit.
Shefi i Qarkullimit Rrugor, Altin Mena, thotë se mungesa e standarteve në rruge bëhet shkak për trafikun e rënduar.
“Fluks i jashtëzakonshëm, do të sjellë edhe ngarkesë në trafik. Rrugët janë këto që shikoni. Duhet të jenë më të gjëra me mbikalime dhe nënkalime apo me standarde më të mira. Nuk besoj se trafiku i rënduar është për shkak të kapaciteteve të burimeve njerëzore apo teknike, por për shkak të infrastrukturës rrugore.”- tha ai.
Mena u kërkon përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi në të kundërt do të përballen me masa ndëshkimore.
“Ka drejtues mjetesh që përdorin pije alkoolike, nuk vendosin rripin e sigurimit, nuk vendosin kafkën, duhet të bëjnë kujdes se do të ndëshkohen nga policët e sigurisë rrugore, sipas ligjit në fuqi.”- tha ai.
Sezoni veror zakonisht sjell trafik të rënduar në rrugët e Qarkut Lezhë deri në fillim të muajit shtator.

