Shtrinë në tokë gazetarin gjatë operacionit policor, reagon SHÇBA: Po hetojmë veprimet e agjentëve

Gjatë një operacioni policor ditën e sotme në zonën e “Vorrit të Bomit” në Tiranë, policisë i iku nga duart një person, të cilit i kërkuan që të dilte nga makina.

Ky moment është filmuar në video nga gazetari i News24 Ergys Gjençaj, të cilin më pas policia i ka marrë telefonin dhe e ka shtrirë në tokë.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe SHÇBA, ku shprehet se ka nisur verifikimin për veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit.

''Menjëherë pasi u njoh përmes media, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë, ka nisur verifikimet për të parë nëse ka tejkalim kompetencash nga agjentët e Policisë së Shtetit, sa i përket veprimeve me gazetarin e TV News 24, z. Ergys Gjençaj, gjatë një operacioni në kryeqytet. SHÇBA do të kryejë çdo veprim hetimor, për të zbardhur shpejt dhe saktë dinamikën dhe përgjegjësitë, nëse ka të tilla. SHÇBA garanton opinionin publik dhe mediat, se mbeten të angazhuar e të hapur për të bashkëpunuar në kuadër të informimit dhe transparencës me publikun.'' - thuhet në njoftimin e SHÇBA-së.

Ndërkohë, operacioni kishte të bënte me sekuestrimin e një sasie prej gati 3 kg kokainë nga policia e Tiranës.

Në aksion kanë marrë pjesë efektivët e forcave RENEA, të cilët janë njoftuar se do kryenin arrestimin e disa personave që mereshin me trafikim të lëndëve narkotike.